May 09, 2022 17:01 Europe/Tirane
  • Kosova është sot shteti i vetëm i izoluar në Evropë

Në Ditën e Evropës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi edhe njëherë ka përsëritur qëndrimin se Kosova mbetet vendi i vetëm i izoluar, si pasojë e mos veprimit të institucioneve të BE-së.

“Dinjiteti njerëzor, Liria dhe Barazia janë tri prej vlerave kryesore që qëndrojnë në themelet e Bashkimit Evropian si konstruksion politik, ekonomik e shoqëror. Sot, me 9 maj, Ditën e Evropës, ripërsëritim edhe një herë qëndrimin, synimin dhe vizionin e palëkundur të Kosovës për të përqafuar e përbrendësuar këto vlera”, ka thënë ai.

Krasniqi, në një postim në Facebook, ka shkruar se edhe sot si edhe shumëherë viteve të fundit, kërkohet nga Bashkimi Evropian që të respektojë posaçërisht këto tri vlera karshi qytetarëve të Kosovës: dinjitetin njerëzor të qytetarëve tanë të izoluar, lirinë e mohuar drejt perëndimit dhe barazinë me qytetarët evropian, e cila po vazhdon të na mungojë.

Kosova, sipas tij, është sot shteti i vetëm i izoluar në Evropë, pa liri të lëvizjes, përkundër plotësimit të kushteve për lëvizje të lirë vite më parë. BE po vonohet, padrejtësisht, karshi Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Prandaj, çdo ditë, e posaçërisht sot, Bashkimi Evropian duhet të kthejë sytë edhe nga Kosova dhe kosovarët, populli më pro-evropian në Ballkan, dhe të hapë dyert për ne”, ka shkruar ai./ParsToday