Kurti takohet me kompaninë e taksistëve në SHBA
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ende nuk ka arritur ta sigurojë qoftë edhe një takim me zyrtarë të lartë shtetërorë në SHBA.
Në mungesë të takimeve me zyrtarë shtetërorë, ai atje ka njoftuar se është takuar edhe me një kompani të taksistëve/
Kurti ka thënë se Kosova ka një të ardhme të ndritur në inovacion.
“Në Kaliforni, startup-et në zhvillim që u shndërruan në gjigantë të njohur, si “Uber” – na kujtojnë se një vend i ri si Kosova, unik në nivelin tonë të dëshirës personale dhe talentit krijues, ka një të ardhme të ndritur në inovacion, duke paraqitur një mundësi të madhe për SHBA-të për investim dhe partneritet”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri Kurti ka pesë ditë që ndodhet në SHBA, por ende nuk e ka pasur asnjë takim të nivelit të lartë as me Departamentin e Shtetit dhe as me Shtëpinë e Bardhë.
E Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ndonëse me gjysmë gojë ka njoftuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të takojë zyrtarë të shtetit amerikan, nuk ka dhënë shumë detaje se nga kush më saktësisht do të pritet i pari i ekzekutivit.
Përkundrazi, Kryeziu, ka tentuar të shmanget nga pyetja e gazetarit, duke u fokusuar në takimin e sotshëm të Kurtit me përfaqësuesit e kompanisë së LinkedIn dhe vizitën e tij në Silicon Valley.
Sipas tij, me këtë vizitë Kurti po realizon një premtim elektoral të Qeverisë Kurti 2.
“Kurti është kryeministri i parë i Kosovës që shkon në Silicon Valley dhe takon drejtues të kompanive multi-miliardëshe, të fushës së teknologjisë së informacionit dhe përfshihet drejtpërdrejte që t’i ftojë ata që të investojnë në Kosovë […] Qeveria jonë është votuar për premtimin për punësim dhe investime, kjo çka po ndodhë në San Francisco aktualisht është në kuadër të realizimi të premtimit të Qeverisë sonë”, ka thënë Kryeziu.
Kurti për zëdhënësin e Qeverisë është i pari kryeministër që po dëshiron t’i thellojë marrëdhëniet me SHBA-të -përpos atyre politike – në rrafshin e zhvillimit dhe bashkëpunimit ekonomik.
“Jemi në ditën e pestë të vizitës së tij [Albin Kurtit], ai do të qëndrojë në SHBA edhe gjatë javës së ardhshme, do të takohet me kompanitë e ndryshme, me diasporë me kongresmenë me senatorë dhe me zyrtarë të shtetit amerikan”, ka treguar Kryeziu.
“Ai do të takohet edhe me përfaqësues politik, por është shumë e rëndësishme që në kuadër të vizitës së tij po takohet me drejtues të kompanive multi-miliardëshe të një sektori në të cilën Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm e që si rezultat mund të sjellë investime e punësim e rrjedhimisht mirëqenie për qytetarët”, ka ripërsëritur Kryeziu kështu duke tentuar të shmang pyetjen e gazetarit dhe rrjedhimisht duke e ngritur në superlativ takimin e Kurtit me përfaqësuesit e LinkdIn në SHBA./Syri