May 16, 2022 08:25 Europe/Tirane
  • Deputetja boshnjake akuzon Ramën: Po pozicionohesh me Rusinë

Deputetja bosnjake, Sabina Cudiç ka publikuar një letër të hapur për kryeministrin shqiptar, Edi Rama, duke e kritikuar ashpër për rrëzimin e rezolutës ku dënohej gjenocidi serb në Srebrenicë.

Në letrën e saj, ajo thotë se Rama e ka bërë këtë gjë për shkak të lidhjeve me Aleksandër Vuçiç. Sipas deputetes, rrëzimi i rezolutës është një lëshim ndaj Serbisë.

 

Në vitin 1995, trupat serbe vranë më shumë se 8 mijë djem dhe burra boshnjakë. Por teksa vazhdonte gjenocidi, Aleksandër Vuçiç, në atë kohë deputet, kërcënonte komunitetin ndërkombëtar që të mos ndërhynte. “Për çdo serb të vrarë, ne do vrasim 100 myslimanë,” shprehej Vuçiç. Më vonë, Vuçiç u bë ministër i propagandës nën presidentin Sllobodan Millosheviç gjatë masakrave në Kosovë.

 

“Dëshiroj t’ju kujtoj se Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë ka gjetur në mënyrë të qartë se forcat serbe kanë kryer gjenocid në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, kur u vranë më shumë se 8 mijë boshnjakë dhe më shumë se 40 mijë persona u dëbuan. Këto gjëra nuk duhet të jenë objekt spekulimesh politike”.

“Ju duhet t’i shpjegoni të gjithë europianëve, veçanërisht shqiptarëve dhe boshnjakëve, se përse nuk e futët në axhendën e Kuvendit rezolutën për dënimin e gjenocidit,” shkruan deputetja.

Ajo kritikon më tej përpjekjet e Edi Ramës për të transferuar përgjegjësinë te opozita, duke thënë se një retorikë e tillë i poshtëron viktimat.

“Askush nuk e ka penguar Partinë Socialiste që të propozonte rezolutën dhe ta miratonte, pasi ju keni mazhorancën në Kuvend. Por ju nuk e bëtë këtë. Përgjegjësia juaj morale dhe njerëzore, dhe arsyeja bazë politike, ju dikton që ta riktheni rezolutën në axhendë, edhe nëse ajo vjen nga kundërshtarët tuaj më të ashpër”.

Më tej deputetja e akuzon Edi Ramën për lidhje me Vuçiçin, duke supozuar se vendimi i tij është motivuar nga afrimiteti i Ramës me Vuçiçin.

“Përshtypja imë e dytë është se ju e keni shtyrë shqyrtimin e rezolutës (apo ndoshta e keni hedhur poshtë fare?) për shkak të përpjekjeve të politikës së jashtme të qeverisë suaj në lidhje me Ballkanin e Hapur dhe negociatat me Vuçiçin. Është detyra juaj që të përgjigjeni nëse ndonjë lëshim për politikën e jashtme, është i denjë për të poshtëruar viktimat e gjenocidit, dhe nëse po, cili është ky lëshim,” shkruan deputetja.

Në fund, Cudiç shkruan se dënimet institucionale të gjenocidit të Srebrenicës janë pjesë e përpjekjeve më të mëdha për të mbrojtur vlerat demorkatsike, veçanërisht për shkak të kërcënimeve të paraqitura nga Rusia ndaj këtyre vlerave.

“Në kontekstin e agresionit rus ndaj Ukrainës- dhe mundësisë së një gjenocidi të ri në Europë, kjo nuk është më drejtësi, dallim vlerash, por edhe ndarje në blloqe dhe llogore. Çështja e gjenocidit në Srebrenicë është ajo që e vendos Shqipërinë në këto ndarje, më shumë se çdo gjë tjetër”.

“Për shkak të respektit tim të madh për popullin shqiptar, unë dua që Shqipëria të bashkohet me palën perëndimore dhe të mos kthehet atje ku ishte në kohën e Enver Hoxhës,” përfundon ajo duke kërkuar që parlamenti të miratojë rezolutën në korrik pa asnjë përjashtim./Syri