May 16, 2022 10:26 Europe/Tirane
  • Bosnja tërbohet me Ramën, e akuzon si njeri të Vuçiçit

Portali i njohur i Brukselit, EurActiv i ka bërë jehonë reagimeve të ashpra nga Bosnja pasi mazhoranca e Edi Ramës rrëzoi një rezolutë ku dënohej gjenocidi serb në Srebrenicë.

Portali i referohet letrës së hapur të deputetes boshnjake, Sabina Cudiç.

 

Në këtë letër, ajo e kritikon Edi Ramën dhe qeverinë e tij për rrëzimin e rezolutës.

 

EurActiv qartëson që në fillim të shkrimit se në vitin 1995, trupat serbe vranë më shumë se 8 mijë djem dhe burra boshnjakë. Por teksa vazhdonte gjenocidi, Aleksandër Vuçiç, në atë kohë deputet, kërcënonte komunitetin ndërkombëtar që të mos ndërhynte. “Për çdo serb të vrarë, ne do vrasim 100 myslimanë,” tha Vuçiç.

Më vonë, Vuçiç u bë ministër i propagandës nën presidentin Sllobodan Millosheviç gjatë masakrave në Kosovë.

“Ju duhet t’i shpjegoni të gjithë europianëve, veçanërisht shqiptarëve dhe boshnjakëve, se përse nuk e futët në axhendën e Kuvendit rezolutën për dënimin e gjenocidit,” shkruan deputetja.

Ajo kritikon më tej përpjekjet e Edi Ramës për të transferuar përgjegjësinë te opozita, duke thënë se një retorikë e tillë i poshtëron viktimat.

“Askush nuk e ka penguar Partinë Socialiste që të propozonte rezolutën dhe ta miratonte, pasi ju keni mazhorancën në Kuvend. Por ju nuk e bëtë këtë. Përgjegjësia juaj morale dhe njerëzore, dhe arsyeja bazë politike, ju dikton që ta riktheni rezolutën në axhendë, edhe nëse ajo vjen nga kundërshtarët tuaj më të ashpër”.

Më tej deputetja e akuzon Edi Ramën për lidhje me Vuçiçin, duke supozuar se vendimi i tij është motivuar nga afrimi i Ramës me Vuçiçin.

“Përshtypja imë e dytë është se ju e keni shtyrë shqyrtimin e rezolutës (apo ndoshta e keni hedhur poshtë fare?) për shkak të përpjekjeve të politikës së jashtme të qeverisë suaj në lidhje me Ballkanin e Hapur dhe negociatat me Vuçiçin. Është detyra juaj që të përgjigjeni nëse ndonjë lëshim për politikën e jashtme, është i denjë për të poshtëruar viktimat e gjenocidit, dhe nëse po, cili është ky lëshim,” shkruan deputetja./Syri