Qershor 21, 2022 16:35 Europe/Tirane
  • Kosova drejt pranimit të një marrëveshjeje me Serbinë për energjinë

Në Bruksel sot Prishtina dhe Beogradit pritet të arrihet një marrëveshje mbi një të vjetër që ishte në 2013. Marrëveshja që Vuçiçi e paralajmëroi ditë më parë, si duket nuk do të jetë farë profitabile për Kosovën, por vetëm për Serbinë.

Sot e gjithë vëmendja do të jetë nga Brukseli. E krejt kjo pasi në kryeqendrën e BE-së po pritet arritja e një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë në kuadër të dialogut.

Vetëm pak ditë më parë ishte Presidenti serb Vuçiq, që paralajmëroi se do të kemi një marrëveshje për energjinë, nga pala kosovar askush nuk foli. Madje Qeveria e mbylli gojën dhe nuk e tha as edhe një koment tash e një javë në lidhje me një nga çështjet më të rëndësishme, ajo e energjisë, meqë do ta përcaktojë pavarësinë energjetike për të ardhmen – shkruan Syri.net Kosova.

 

Qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht serbë – nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada. Kjo nënkupton shpenzim të miliona eurove çdo vit të Qeverisë së Kosovës duke paguar energjinë elektrike për serbët në Veri, çka përbën edhe shkelje të parimit të barabarësisë mes qytetarëve që është i përcaktuar nga Kushtetuta e Vendit.

 

Vetëm në vitin 2021, Kosova ka paguar për konsumatorët në Veri 41 milionë euro”, tregojnë nga KOSTT.

 

Për më tepër, deri në vitin 2017 janë qytetarët e Kosovës që kanë paguar për rrymën në Veri, përmes faturave të energjisë elektrike, ku kanë pasur një kosto shtesë 3.5% dhe është shpërndarë borxhi i konsumatorëve në Veri.

 

Por, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në fund të vitit 2017 vendosi që kjo praktikë të pezullohej.

 

Sikur Kosova të kontrollonte gjithë territorin e vet, nuk do të kishte problem. Por, me kontratë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike është e obliguar që t’ia mundësojë distributorit të mbledhë faturat në Veri. ZRrE këtë do të duhej ta bënte duke përdorur institucionet e sigurisë së Kosovës. Institucione që i kanë thënë ZRrE-së që nuk ua realizojnë dot këtë kërkesë.

 

Meqë ky obligim nuk merret përsipër, KEDS nuk faturon dot në Veri. Në anën tjetër, Kosova as nuk guxon t’i lë pa energji elektrike qytetarët në atë pjesë.

 

Edhe po të donte, do ta kishte të pamundur pasi Kosova do rrezikonte anëtarësimin e saj në Rrjetin e Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Evropës (ENTOS) sepse që nga viti 2017 përgjegjësinë për të mbuluar humbjet nga furnizimi me energji elektrike për pjesën veriore të Kosovës, nga Kompania Furnizuese (KESCO) i është kaluar Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

 

Këtë nuk e di kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në konferencë për media, i pyetur për pagesat e qeverisë në Veri, tha se paguajnë rrymën në Veri, pasi “është aspekti jonë humanitar që nuk duam një rajon të tërë ta shkëpusim nga rrjeti”.

 

Situata mund të përkeqësohet drastikisht, me marrëveshjen e re të arritur në Bruksel

 

Përkundër se Kosova shpenzon miliona, situate mund të rëndohet edhe më shumë varësisht nga marrëveshja që do të arrihet në Bruksel.

 

Një marrëveshje e re mbi të vjetrën

 

Vetë Kurti, por edhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë së Kosovës kanë njoftuar se janë afër një marrëveshjeje.

 

Marrëveshja po ashtu i jepte fund çfarëdo ndërhyrje apo pretendimi të Serbisë ndaj sistemin energjetik të Republikës së Kosovës.

 

Në shtator të vitit 2015 ishte përcaktuar gjithashtu, sipas marrëveshjes së Brukselit mbi energjinë, që të regjistroheshin dy kompani të reja që do merreshin me energjinë elektrike në Veri.

 

Por, ato dy kompani do të regjistroheshin në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë dhe gjithashtu do ishin kompani nën-kontraktore të KEDS-it.

 

Për të zgjidhur problemin me rrymën në Veri qeveria aktuale e Kosovës kishte filluar negocimit me palën serbe bazuar mbi këtë marrëveshje, por gjatë bisedimeve ka pasur kthesa në dëm të Kosovës.

 

Sipas medieve kosovar bisedimet kanë ndryshuar, sepse pala serbe ka kërkuar që kompanitë e reja të mos jenë nën-kontratore të KEDS-it, por të jenë operatorë në vete.

 

Në anën para disa dite, në Bruksel për të folur për distribuimin e energjisë ishin edhe përfaqësuesit e KEDS.

 

Syri përmes burimeve të veta merr vesh se në atë takim u paraqitën kërkesat e Serbisë, e që nuk janë hiq të mira për Kosovën.

 

Sipas këtij burimi pala serbe nuk është ende dakord për mënyrën e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit të 2013. Ata po pretendojnë të kenë një operator të tyre që operon në atë pjesë dhe në gjithë territorin tjetër të Kosovës.

 

Çka do të thotë të futet një operator i ri në tregun e energjisë në Kosovë?

Nëse Qeveria e Kosovës pranon që të ketë operatorë të tjerë, pra kompani serbe në Veri të Kosovës, ato kompani kanë të drejtë të plotë të vendosin çmimet ashtu si duan dhe gjithashtu, fushëveprimi nuk u përcaktohet vetëm në Veri.

 

Kjo nënkupton që “ata operatorë kanë të drejtë të operojnë në gjithë territorin e Kosovës”.

 

ZRRE e cakton çmimin, por vetëm tavanin sipër, për çmime më të ulëta vendosin vetë operatorët. Me pak fjalë, nëse operatori serb futet në tregun e Kosovës dhe konkurron me çmime më të ulëta, atëherë do të mund të bëhej distributori kryesor i energjisë elektrike në Kosovë.

 

Rrjedhimisht, tregu kosovar i energjisë do të krijonte varësi totale nga operatori serb.

 

Çfarë parasheh marrëveshja e 2013?

 

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për çështjen e energjetikes gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013.

 

Nënshkruesit e marrëveshjes kanë qenë ish-kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç.

 

Kjo marrëveshje, e arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, parasheh që përveç Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e rrymës.

 

Marrëveshja është konfirmuar në gusht të vitit 2015 nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por nuk është zbatuar asnjëherë.

 

Ky dokument parasheh që përveç KEDS-it, në Kosovë të licencohet edhe një kompani tjetër për distribuimin e energjisë elektrike që mban emrin “Drustvo Elektrosever D.O.O.”.

 

Pronare e kësaj të fundit është Serbia, apo kompania publike serbe për prodhimin, furnizimin dhe tregtimin e energjisë elektrike – Elektroprivreda Srbije.

 

Përfaqësuesit e saj e kanë regjistruar atë si biznes në Agjencinë Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve në nëntor të vitit 2018. Aktivitet primar i saj është tregtia e energjisë.

 

Në bazë të marrëveshjeve të arritura, “Drustvo Elektrosever D.O.O.”, për të filluar operimin në Kosovë, do të duhej që të licencohej nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE).

 

“Drustvo Elektrosever D.O.O.” ka aplikuar për licencim, por nuk ka konfirmim se ZRRE-ja e ka licencuar.

 

Në muajin shkurt të këtij viti, ZRRE-ja ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se licenca është kërkuar në fund të dhjetorit, 2020, por ende nuk është miratuar, sepse “duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen [e Brukselit] dhe konkluzionet”, gjë që, sipas ZRRE-së, nuk është arritur.

 

ZRRE-ja nuk ka specifikuar konkretisht se çfarë është e kontestueshme në këtë proces.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se nuk do të ketë licencim të asnjë kompanie tjetër përveç të “Drustvo Elektrosever D.O.O.” – ashtu siç e parashohin edhe marrëveshjet e arritura me Serbinë.

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati thënë më 10 qershor se marrëveshja për energjinë me Kosovën është drejt përfundimit dhe se për këtë çështje pala serbe ka zhvilluar negociata me Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar mbajtjen e një takimi të tillë.

 

Në një deklarim për media më 18 qershor, ai ka thënë se marrëveshja e re do të mundësonte faturimin dhe inkasimin në katër komunat në veri të Lumit Ibër.

 

“Bëhet fjalë për katër shërbime të dakorduara më herët: vendosja e matësve të energjisë, mirëmbajtja e matësve, faturimi dhe inkasimi”, ka thënë Kurti, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë shërbim shtesë në fushën e distribucionit.

 

Çfarë parasheh tjetër marrëveshja?

 

Sipas marrëveshjes së arritur më 2013, punëtorët e “Elektrokosmet” (kompani serbe për energji në veri të Kosovës) duhet të inkuadrohen në kompaninë e regjistruar sipas ligjeve të Kosovës, ose duhet t’iu ofrohet punësim në KEDS.

 

Deri vonë, qytetarët e komunave veriore të Kosovës, kanë thënë se kanë pranuar fatura për energjinë elektrike nga kjo kompani serbe.

 

Kosova e konsideron “Elektrokosmet-in” e Serbisë si kompani ilegale.

 

Çfarë thonë banorët e veriut të Kosovës?

 

Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, më 1999, qytetarët e veriut furnizohen rregullisht me energji elektrike, por nuk e paguajnë atë.

 

Kjo ka ndodhur për shkak të refuzimit të strukturave të ndryshme të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që kanë operuar në atë pjesë, por edhe për shkak të mosbindjes qytetare.

 

Nga përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë vazhdimisht ka pasur deklarata kundërthënëse se kush e furnizon veriun me rrymë.

 

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) ka thënë se furnizimi bëhet nga operatorët e licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës, por, sipas zyrtarëve serbë, rryma në veri arrin nga Elektro-rrjeti i Serbisë.

 

Disa qytetarë të pjesës veriore të Kosovës, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë javë më parë, kanë thënë se e përkrahin idenë që të rregullohet çështja e furnizimit me energji elektrike, por disa nga ta thonë se do të donin që pagesën ta bënin në Serbi, e jo në Kosovë.

 

“Në cilindo rast, më shumë dua që ta paguaj energjinë sesa mos të kemi fare – të them të drejtën. Unë jam për këtë, më mirë të paguhet”, ka thënë Dragica Vulliq.

 

Një qytetar tjetër i Mitrovicës së Veriut, i cili prezantohet vetëm me emrin Millosh, ka thënë se nuk do të donte ta paguante energjinë elektrike për ndonjë institucion të Kosovës.

 

“Një rend duhet të ekzistojë… por më parë do t’ia paguanim shtetit tonë [Serbisë], sesa Qeverisë së Kosovës. Nuk e di, më duket se gjithnjë e më shumë po na shtyjnë drejt duarve të Prishtinës”, ka thënë Milloshi.

 

Sipas Millanit, çështja e pagesës së rrymës tani është e pakuptimtë.

 

“Nuk e di, por mendoj se tash kjo është e pakuptimtë për arsye politike”, është shprehur ai./Syri