Korrik 31, 2022 12:09 Europe/Tirane
  • 8 arrestime në rrjetin e kontrabandistëve të emigrantëve

Policia e Kosovës ka goditur një grup të madh trafikantësh që dërgonin në Kosovë nga Shqipëria, emigrantët të paligjshëm, kryesisht aziatikë. 18 arrestime janë kryer në Prizren; gjatë operacionit, njeri nga kontrabandistët tentoi edhe që t’i shtypë me makinë, oficerët e Policisë.

Hetuesit e Kosovës nga Departamenti i Kufirit njoftuan se që nga muaji mars 2022, kanë filluar hetimin me dyshimin se disa persona qenë përfshirë në ‘kontrabandë me emigrantë’. Numri i personave të dyshuar, të përfshirë në hetim ka qenë i madh.

 

Ata dyshohet se emigrantët (kryesisht aziatikë), i kanë depërtuar ilegalisht nga Shqipëria, duke i kaluar deri në pjesën veriore të Kosovës me qëllim mbërritjen e emigranteve në shtetet perëndimore.

 

Më 14 korrik 2022 hetuesit nga Sektori i Hetimeve i Kosovës kanë arrestuar të dyshuarin M.A., shtetas sirian, i cili qëndronte në Kosovë për të organizuar kontrabandën.

Kurse, më 30 korrik 2022, policia kufitare ka finalizuar operacionin policor të koduar “Shkoza”.

Më 30 korrik 2022, ndërisa ishte në zhvillim e sipër kontrabandimi i radhës, pas marrjes së urdhrit nga Gjykata Themelore Prishtinë, filluan kontrollet policore në fshatin Shkozë të Prizrenit në tri lokacione.

Në njërin nga lokacionet një i dyshuar tentoi që t’i godasë me makinë, zyrtarët policorë. Ai është arrestuar për "sulm ndaj personit zyrtar" dhe u dërguar në paraburgim. Ndaj tij është veçuar dosja nga të dyshuarit e tjerë të përfshirë në kontrabandë me emigrantë.

Gjatë operacionit policor janë arrestuar edhe gjashtëmbëdhjetë të dyshuar për përfshirje në kontrabandë me emigrantë, po ashtu edhe një për armëmbajtje pa leje.

Nga të dyshuarit janë sekuestruar katër armë zjarri, nëntëdhjetë e pesë copë fishekë, tre autobusë, dy vetura, dy radiolidhje dhe shtatëmbëdhjetë telefona celular.

Pas intervistimit të tetëmbëdhjetë të dyshuarve të trajtuar në këtë operacion policor, me aktvendim të prokurorit, shtatëmbëdhjetë nga të dyshuarit u dërguan në paraburgim, kurse ndaj njërit vazhdon procedura e rregullt./Syri