Shtator 16, 2022 20:49 Europe/Tirane
  • E kërcënoi nënkryetarja e Kuvendit serb

Nënkryetarja e Kuvendit serb Snezhana Pauniç e cila i përket Partisë Socialiste serbe, forcë politike që e ka udhëhequr Millosheviç, kërcënoi një ditë më parë deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin serb, Shaip Kamberi.

Ajo u shpreh se Kamberi duhet të arrestohet ose dëbohet nga territori serb. 

 

Deklaratat kërcënuese erdhën pasi Kamberi deklaroi se Kosova do të mbetet e pavarur dhe ky realitet është i pandryshueshëm. 

 

"E vërteta mund të jetë e hidhur por nuk duhet ta mohosh. Me apo pa mua “toka do të vazhdojë të rrotullohet”. Me apo pa mua, Kosova do të mbetet e pavarur”", ishte deklarata e Shaip Kamberit në Parlamentin serb. 

 

Pas kërcënimeve, Kamberi ka reaguar duke ngritur alarmin se shqiptarët që jetojnë në Serbi janë duke u pakësuar për shkak të diskriminimit shtetëror ndaj tyre.

Në një intervistë për Euronews Albania, Kamberi u shpreh se nuk do të ndalet në detyrën për të mbrojtur të drejtat e një popullsie të diskriminuar siç janë shqiptarët, pavarësish kërcënimit për arrestimin e tij apo kërcënimeve të tjera që mund të vijnë.

“Unë jam i zgjedhur nga votat e pavarura të shqiptarëve që çdo ditë po pakësohen për shkak të diskriminimit shtetëror. E kam ditur shumë mirë se çfarë reagimi do të sillte deklarata ime, por kjo s’do të thotë që një kërcënim do ta ndalë punën time. Tentativa për frikësim dhe kërcënime do të ketë, por kjo s’do ta ndalë punën time për të përfaqësuar një popullatë të diskriminuar”, tha Kamberi./Syri