Shtator 25, 2022 10:00 Europe/Tirane
  • Marrëveshja Rusi-Serbi alarmon BE-në

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, e ka quajtur skandal të rëndë marrëveshjen Rusi-Serbi për koordinimin e politikës së jashtme, të nënshkruar nga ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq dhe atij të Rusisë, Sergey Lavrov.

Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ministrat e Punëve të Jashtme të Serbisë dhe Rusisë nënshkruan të premten në Nju Jork planin e konsultimeve të ministrive të tyre për periudhën 2023-2024. Një marrëveshje të tillë, Von Cramon e ka cilësuar skandal të rëndë duke thënë se ky është një sinjal se Bashkimi Evropian duhet të ngrijë bisedimet me Serbinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Ky është një skandal i rëndë. Në mes të luftës së furishme, Ministria e Jashtme e Serbisë nënshkruan planin për bashkëpunimin e ardhshëm me agresorin Rusinë”, ka shkruar Cramon në një postim në Twitter, transmeton Telegrafi. “Ndoshta ky është thjesht një sinjal për ne që të ngrijmë bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian pasi hyrja në BE nuk kalon përmes Moskës”, ka shkruar Cramon. Menjëherë pas kësaj marrëveshje ka reaguar analisti amerikan, Janusz Bugajski, i cili theksoi se është koha për të sanksionuar Serbinë pasi Beograd mbështet kriminelët e luftës në Kremlin. Bugajski në një postim në Twitter shkruan pyet pse duhet të përfitojë Serbia nga çdo fond apo investim i tatimpaguesve të BE-së. “Koha për të sanksionuar Serbinë. Beogradi mbështet kriminelët e luftës në Kremlin. Pse duhet të përfitojë nga çdo fond apo investim i taksapaguesve të BE-së”, shkruan Bugajski. Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq përveç që nuk njeh shtetin e Kosovës dhe krimet e bëra nga regjimi i Millosheviqit, mban edhe lidhje shumë të ngushta me federatën ruse, duke nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunimi dhe kjo sipas tij duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike./ParsToday