Kryeministri Kurti e ambasadori Petchpornprapas flasin për investime
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi me Ambasadorin e Tajlandës në Budapest, Nipon Petchpornprapas, ka biseduar për marrëveshjet me interes të ndërsjellë, si ajo për bashkëpunim ekonomik, si dhe për mbrojtje dhe nxitje të investimeve.
Duke theksuar progresin demokratik dhe indikatorët pozitiv ekonomik në vendin tonë, Kryeministri Kurti foli për mundësitë për rritje të bashkëpunimit në ekonomi, në shkëmbime tregtare dhe kulturore.
Përmes një komunikate nga Qeveria e Kosovës bëhet e ditur se Ambasadori Petchpornprapas shprehu gatishmërinë për të ofruar mbështetje dhe bashkëpunim në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe shkëmbimin e përvojave në agrikulturë dhe shëndet publik.
“Në takim u theksua potenciali dhe vullneti i të dyja shteteve për thellim e zgjerim të marrëdhënieve bilaterale”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Ndërkohë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka pritur në takim ambasadorin jorezident të Mbretërisë së Tajlandës për Republikën e Kosovës, Nipon Petchpornprapas.
Sipas njoftimit nga Kuvendi i Kosovës, kryeparlamentari Konjufca e uroi ambasadorin Petchpornprapas për marrjen e detyrës, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm rolin e misioneve respektive diplomatike në shkëmbimin e përvojave dhe fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Ndërsa ambasadori Petchpornprapas e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe rikonfirmoi mbështetjen e shtetit të tij për Kosovën.
Në njoftimin e Kuvendit, thuhet se në takim u ritheksua gatishmëria e dyanshme për rritjen e bashkëpunimit konkret në fusha me interes të përbashkët midis Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Tajlandës.