PDK e LDK lëshojnë mbledhjen e Kryesisë
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.
Veprimin e qeverisë, shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri e ka quajtur arrogant dhe cenim të të drejtave të 25 mijë mësimdhënësve.
Tahiri bëri të ditur se PDK për këtë çështje ka ngritur kallëzim penal.
“Në fillim të Kryesisë thamë që nuk do të marrim pjesë. Do të ngremë një kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe Enis Spahiu. Në këtë moment është vetëm duke u dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale", ka thënë ai.
Ndërkaq, Arben Gashi shef i GP të LDK-së, tha se qeveria në mënyrë arbitrare nuk po ekzekuton pagat e 25 mijë mësimdhënësve.
"Ministria e Arsimit dhe Qeveria po pamundësojnë marrjen e pagave dhe po vështirësojnë jetën e mësimdhënësve... Qeveria nuk ka vendim për mospagesë, duhet të nxjerrët vendim. Mos pagesa të cilën po e bën Qeveria e Kosovës është veprim arbitrar. Seanca është nesër dhe pikë e rendit të ditës është interpelanca. Ne do të jemi aty", tha Gashi.
Shefja e GP të partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka pësuar një lëndim fizik për çka me rekomandim të mjekut do të qëndrojë për një kohë në shtëpi.
"Kryetari e ka pasur një lëndim fizik mbrëmë. Me rekomandimin e mjekut duhet të qëndrojë në shtëpi në mënyrë që të ketë rikuperim të këmbës", ka thënë ajo.
Pasi që partitë opozitare lëshuan mbledhjen në shenjë revolte, ajo tha se Kusari Lila tha se situatën me greva janë duke e përcjellë dhe e cila, sipas saj, ka një kundërthënie mes ligjeve.
"Jemi duke përcjell situatën me rrethanat e krijuara nga greva, i bëjmë thirrje SBASHK-ut dhe mësimdhënësve qe të jenë në një vijë me kompensimin e orëve. Te vendosësh apo ngarkosh ata më të lëndueshmit me një çështje që tashmë është bërë tepër e rëndë për shoqërinë, është një situatë e papranueshme. Ngërçi ka të bëjë me çështje ligjore, por me një problematikë", tha ajo.
Lëshimi i mbledhjes, sipas tyre, është bërë në shenjë proteste për mosekzekutimin e pagave të mësimdhënëseve nga ana e Qeverisë së Kosovës, sepse ata ishin në grevë për më tepër se një muaj.