Tetor 17, 2022 07:33 Europe/Tirane
  •  Çështja e Luginës së Preshevës diskutohet me Escobarin në Uashington

Përfaqësuesit politik shqiptarë të Luginës së Preshevës janë takuar në Uashington me emisarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Të pranishëm në takim kanë qenë deputeti në Parlamentin e Serbisë dhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PDD) Shaip Kamberi, kryetari i Komunës së Bujanocit (PD) Nagip Arifi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi dhe kryetar i PDSH-së, Ragmi Mustafa.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi ka thënë se zgjidhja e çështjes së Luginës së Preshevës është në tavolinën e Uashingtonit.

Ai  përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka publikuar një foto me të deleguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, teksa ka shkruar se zgjidhja e çështjes së Luginës së Preshevës është në tavolinën e Uashingtonit.

"Zgjidhja e çështjes së Luginës së Preshevës është në tavolinën e Uashingtonit. Miqësia me SHBA është e përhershme dhe e përjetshme. Lugina e Preshevës është në fokus, u nënvizua në takim me të deleguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, njëkohësisht zëvendës-ndihmës i Sekretarit Amerikan të Shtetit”, ka shkruar Mustafi.

E për takimin me Escobar ka njoftuar edhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

"Në takim me të dërguarin special të SHBA për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, në Departamentin e shtetit, diskutuam për nevojën e trajtimit të drejtë edhe të kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për nevojën e trajtimit të barabartë dhe reciprok të pakicave përmes standardeve të njëjta si parakusht i një marrëveshje të ardhshme për paqen afatgjate në Ballkanin Perëndimor", ka shkruar Kamberi.

RTKlive