Tetor 19, 2022 10:06 Europe/Tirane
  •  Analistët: Propozimi franko-gjerman të mos përmbajë modelin e dy Gjermanive

Ekzistimi i një propozimi gjermano-francez me të cilin synohet një marrëveshje finale për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, është pranuar nga dy shtetet. Por, përmbajtja e propozimit akoma nuk është publike.

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe procesit të dialogut, thonë se ky propozim mund të jetë në favor të Kosovës, por assesi nuk duhet të përmbajë modelin e dy gjermanive, që është i papërshtatshëm në rastin e Kosovës.

Akoma vazhdon të mbetet mister propozimi gjermano-francez, në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Ekzistimi i propozimit tanimë është pranuar nga kryeministri Albin Kurti, i cili nuk ka dhënë detaje. Për propozimin e dyshes së fuqishme evropiane më shumë ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ka thënë se Serbisë po i kërkohet që të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB e organizata të tjera, pa e njohur vetë pavarësinë e saj.

Duke folur për propozimin eventual gjermano-francez, Nezir Kraki, profesor në njërin nga universitetet e Parisit, thotë për Radio Kosovën se nuk beson që akoma ka një dokument që mund të publikohet. Sipas tij, për këtë duhet të ekzistojë pajtim ndërmjet palëve dhe model i adaptueshëm në terrenin e Serbisë dhe Kosovës. Modeli i përfolur i dy gjermanive, është i papërshtatshëm në rastin e Kosovës, thotë tutje Kraku.

“Modeli i dy gjermanive nuk mendoj se është i përshtatshëm, sepse dy gjermanit kanë pasur marrëdhënie shumë atipike, herë-herë totalisht jo normale. Për zgjidhje duhet të diskutohet për specifikat e Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të merret veç hajt modeli i dy gjermanive dhe të vendoset në Ballkan. Kosova është shtet. Serbia është shtet. Tash çfarë modeli t’i propozojmë Serbisë ne? Absolutisht asnjë model. Serbisë vetëm duhet t’i kërkohet nga komuniteti ndërkombëtar dhe BE-ja njohja e realitetit të pavarësisë dhe heqja dorë nga pretendime ekspansioniste”, tha ai. 

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, ndërkaq, thotë se ndonëse nuk është publik propozimi gjermano-francez, nga ajo që thuhet në medie, i njëjti mund të jetë në favor të Kosovës. 

 “Nga ajo që është promovuar në publik mund të konkludohet se njëra nga pikat që mund t’i ofrohet Kosovës është integrimi në institucione ndërkombëtare, por pa njohje reciproke me Serbinë. Në njëfarë mënyre vetëm njohje faktike, por jo edhe njohje ligjore.  Pra, nëse kemi njohje nga pesë vendet e BE-së, që mundësojnë edhe anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE, atëherë njohja nga Serbia do të ishte e parëndësishme”, tha ai.  

Ndërkohë, për planin gjermano-francez, që akoma nuk është publik, po vazhdon të shtohet trysnia ndërkombëtare që palët ta pranojnë atë. Së fundmi, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në një intervistë për gazetën “Nova” të Beogradit, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet ta shqyrtojnë seriozisht. /parstoday/