Nëntor 12, 2022 08:41 Europe/Tirane
  • Tre kandidatë shqiptarë garojnë në zgjedhjet komunale në Slloveni

Më 20 nëntor në Slloveni do të mbahen zgjedhjet komunale ku për asamble komunale do të garojnë edhe tre shqiptarë nga Kosova.

Flurina Ahmetaj dhe Egzon Shabani elaboruan synimet dhe programet e tyre në komunat ku ata jetojnë në të mire të komunitetit shqiptar, të cilit i përkasin, por edhe më gjerë.

Flurina Ametaj, kandidate për asamble nga radhët e Lëvizjes “Svoboda” ne qytetin Celje në Slloveni, theksoi se kurrë me parë nuk ka qenë e interesuar për politikë, por më shumë, siç shpjegoi ajo, çështjet e mjedisit.

 

Tutje ajo njoftoi se ka studiuar shkencat sociale në Universitetin e Lubjanës.

 

Gjithmonë kam pasur dëshirë t’ju ndihmoj të rinjve dhe shqiptarëve që vijnë këtu dhe që kanë nevojë për mbështetje dhe që këtu mora nismën për t’u inkuadruar në politikë dhe u anëtarësova në partinë ‘SVOBODA’ në Celje”, deklaroi në rtk.

 

Veç kësaj, ajo bëri të ditur se është edhe kryetare e Shoqatës Kulturore Shqiptare në Celje, ku bëjnë aktivitete të ndryshme kulturore e arsimore për shqiptarët atje e në veçanti për fëmijët shqiptarë.

 

Ajo premtoi se do të angazhohet për përmirësimin e kushteve të shqiptarëve atje, sidomos në fuqizimin e gruas shqiptare.

 

“Me zgjedhjen time si asambleiste në komunën e Celjes, jam e bindur se çështjet që na dalin përpara do t’i zgjidhim më me sukses dhe do të avancohemi në një nivel më të lart si komunitet shqiptar në formë institucionale”, tha Flurina Ahmetaj, kandidate për asamble komunale në Celje të Sllovenisë.

 

Ndërkaq kandidati tjetër shqiptar, Egzon Shabanin, nga partia SDS (Slovenska Dekomkratska Stranka), i cili garon gjithashtu për asamble në komunën e Novo Goricës, bëri të ditur se ai ka marrë këtë hap me insistimi e shqiptarëve ku ai jeton e vepron.

 

Më tej ai bëri të njohur faktin se është kandidati i parë shqiptar që garon në këtë komunë, ku, sipas tij, gravitojnë rreth 3500 shqiptarë, por që nuk kanë të drejtë vote që të gjithë.

 

“Shpresoj të jem zëri i shqiptarëve që jetojnë në Novo Goricë pas datës 20 nëntor” deklaroi Shabani.

 

Në fund, duke ftuar bashkatdhetarët shqiptarë, të cilët jetojnë e veprojnë atje, theksuan prioritetet që do të angazhohen ata, si: çështja e mjedisit, pastaj integrimi sa më i shpejtë të komuniteteve të huaja në Slloveni./Syri