Dhjetor 01, 2022 06:54 Europe/Tirane
  •  Analistët me qëndrime të ndryshme për legjitimitetin e zgjedhjeve në veri

Njohësit e legjislacionit në Kosovë, kanë qëndrime të ndryshme për sa i përket legjitimitetit të zgjedhjeve në komunat serbe në veri të vendit.

Profesori Mazllum Baraliu, thotë se nuk ka asnjë pengesë për të kontestuar legjitimitetin dhe legalitetin e tyre, ndërsa Gëzim Shala, nga IKD, theksoi se rrezikohet që zgjedhjet të mos legjitimohen, pasi sipas tij, partia më e madhe e komunitetit serb, nuk do të marrë pjesë në zgjedhje.

Pas certifikimit të kandidatëve për kryetarë të katër komunave veriore, për zgjedhjet që do të mbahen më 18 dhjetor, njohësit e çështjeve ligjore flasin për legjitimitetin ose jo të tyre, për shkak të mos pjesëmarrjes së Listës Serbe në këto zgjedhje.

Njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, tha për Radio Kosovën se nëse çdo gjë shkon në përputhje me kërkesat ligjore për zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme, në rastin konkret nuk ka asnjë problem që ato të legjitimohen, pasi kushtet paraprake që kërkohen me ligj janë plotësuar.

 “Tashmë ka kandidatë të mjaftueshëm nga subjektet politike që janë paraqitur. Mungesa e një subjekti politik pa marrë parasysh çfarë madhësie dhe rëndësie dikush dëshiron t’i japë ose jo, nuk ka asnjë pengesë për të kontestuar legjitimitetin dhe legalitetin, për arsye se kushtet e deritashme dhe kriteret ligjore janë plotësuar, kandidatët janë paraqitur, janë certifikuar”, tha ai.

Baraliu, theksoi se në bazë të legjislacionit elektoral që është në fuqi, nuk është i përcaktuar dhe i obliguar pragu i pjesëmarrjes së domosdoshme në përqindje të popullsisë në zgjedhje. Ai tha se e rëndësishme është që procesi të mos cenohet e të jetë demokratik.

Por, qëndrim tjetër ka Instituti i Kosovës për Drejtësi. Gëzim Shala, nga ky institut, tha për Radio Kosovën, se këto zgjedhje rrezikohet që të mos e gëzojnë legjitimitetin e nevojshëm, pasi sipas tij, partia më e madhe e komunitetit serb, Lista Serbe, nuk do të marrë pjesë në zgjedhje.

 “Në rastin kur Gjykata Supreme kishte vendosur se përmes votave të Listës Serbe, nuk mund të zgjidhën deputetët e komuniteteve të tjera, kishte përcaktuar se lidhja në këtë rast me përfaqësuesit e një subjekti të caktuar duhet të jetë reale. Kjo i bie se në rastin konkret paria më e madhe e komunitetit serb është Lista Serbe. Për këtë arsye, pa marrë parasysh se të njëjtat proceduralisht mund të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikë së Kosovës dhe ligjet në fuqi, prapë se prapë këto zgjedhje nuk e gëzojnë legjitimitetin e nevojshëm, për shkak se partia më e madhe që përfaqëson komunitetin serb nuk merr pjesë në këto zgjedhje”, tha ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar dymbëdhjetë kandidatët për kryetarë të katër komunave veriore, që do të mbahen më 18 dhjetor. Në Leposaviq garojnë Albulena Behluli nga PDK, Lulzim Hetemi nga Vetëvendosje dhe Aleksandër Jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovës. Në Zveçan Ilir Peci nga PDK, Fetah Peci nga Vetëvendosje dhe kandidatja e pavarur, Sladjana Pantoviq. Për Zubin Potok janë certifikuar Izmir Zeqiri nga PDK dhe Flatron Hasani nga Vetëvendosje. E, në garë për kryetar të Mitrovicës së veriut janë: Taulant Kelmendi nga PDK, Erden Atiq nga Vetëvendosje, Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica dhe Aleksandar Arsenijoviq nga Iniciativa Qytetare Mbijetesa Serbe. KQZ-ja ka përcaktuar se fushata zgjedhore do të zgjasë nga data 8 deri më 16 dhjetori./radiokosova/