Këtë javë aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se ka ardhur koha që statusin potencial të kandidatit, që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë zyrtarisht në një status kandidatë, duke kaluar në një fazë të re të marrëdhënieve me BE-në.
“Para një vitit në takimin vjetor të këshillit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocimit në BE, bëmë të ditur se këtë vit do të aplikojmë për status kandidat në BE dhe do ta bëjmë këtë javë”, tha Kurti.
Tutje ka thënë ai, se Kosova është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor, që po aplikon për Bashkimin Evropian, edhe pse është vendi i parë në këtë rajon për nivelin e sundimit të ligjit, lirisë dhe demokracisë.
“Kjo është në përputhje me aspiratat e qytetarëve tanë të cilët besojnë thellë se e ardhmja e jonë është brenda Bashkimit Evropian, krahas shteteve demokratike me të cilat ndajmë vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, barazisë dhe të sundimit të ligjit”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Ndërkaq, Kurti me këtë rast tha se aplikimi i Kosovës është përgjigje ndaj Samitit të Selanikut të vitit 2003 dhe thirrjes nga Samiti i fundit në Tiranë për anëtarësim të përshpejtuar.
“Para një jave në Samitin e Tiranës në deklaratën e përbashkët, BE bëri thirrje për proces të përshpejtuar të anëtarësimit. Andaj aplikimi ynë është përgjigje ndaj premtimit që BE-ja i ka dhënë për anëtarësim rajonit nga Samiti i Selanikut në vitin 2003, por edhe për përgjigje direkte ndaj thirrjes në Samitin e Tiranës”, tha ai.
Me këtë rast Kurti tha se Kosova natyrshëm e ka vendin në BE dhe se krahasuar me shtetet e tjera kur kanë aplikuar, Kosova është më e përgatitur.
“Kosova e ka vendin natyrshëm në BE si vend paqedashës e demokratik”, tha Kurti.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës është duke e mbajtur mbledhjen e radhës ku po shqyrtohen 29 pika.
Në këtë mbledhje është miratuar kërkesa për ndarje buxhetore për subvencionim të ndërtimit të shtëpive për komunitetet jo-shumicë.
Në një fjalë rasti, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se është pjesë e qeverisë për të ndërtuar ura dhe ka përvojë në këtë punë.
“Unë do të lusja që secili të ketë mirëkuptim ndaj meje kur kërkoj takime me të gjithë ju. Më vjen mirë që në thelb mund ta bëjmë dallimin. Në këto takime, i pari do të jetë Murati. Jam këtu që të tentojmë të bëjmë ura, nuk jam i ri në këtë punë, 17 përvojë flet diçka për mua”, tha ai.
“Unë e di që do të kemi shumë bashkëpunim dhe sfida, por unë jam i gatshëm në çdo mënyrë të kontribuoj personalisht”, tha Rashiq.
Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka ndarë 5.8 milionë euro si mbështetje për përballje me inflacionin.
Një pjesë e mjeteve do të shkojnë për studentët që nuk kanë marrë shumën prej 100 euro, ndërsa pjesa tjetër është shtesa për punëtorët e ndërmarrjeve publike dhe po ashtu subvencionimin e pagesave për kursimin e energjisë elektrike.
Po ashtu, Qeveria themeloi edhe Këshillin shtetëror organizativ për shënimin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 25 vjetorin të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qeveria, po ashtu, procedoi në Kuvend dhënien e ivenstitorit strategjik kompanisë “Moxico Luma Kosova Mining L.L.C”.