Dhjetor 20, 2022 07:30 Europe/Tirane
  • Mediat zvicerane: Bisedime sekrete në Bernë mes Kosovës dhe Serbisë

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë për të normalizuar marrëdhëniet politike me njëra- tjetrën vazhdojnë pothuajse pa ndërprerje, në mënyrë publike dhe jo vetëm publike.

Grupi mediatik swissinfo.ch ka raportuar për një takim sekret mes palës kosovare dhe asaj serbe në Zvicër në mes të muajit nëntor.

Paraprakisht për këtë takim ka raportuar edhe gazeta zvicerane NZZ. Hulumtimi i  NZZ am sontag, tregon se në prapaskenë, Zvicra po ndërmjetëson në mënyrë diskrete mes Serbisë dhe Kosovës dhe po përpiqet të parandalojë që konflikti të përshkallëzohet më tej.

Departamenti Federal i Punëve të Jashtme ka pritur përfaqësuesit e të dy vendeve në Zvicër në mes të muajit nëntor.

“Një takim i tillë ka ndodhur një javë pasi serbët ishin tërhequr nga institucionet e Kosovës”,- konfirmon zëdhënësja e EDA ose Departamentit të punëve të jashtme të Konfederatës Helevetike, Elisa Raggi.

Për arsye konfidencialiteti, EDA nuk pranon të thotë saktësisht se ku janë zhvilluar bisedimet. Sipas këtij institucioni, ky takim i zhvilluar larg publikut, është i rëndësishëm në mënyrë që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të shkëmbejnë rregullisht mendime për çështjet politike dhe të krijojnë besim.

“Kjo mundëson kontakte të drejtpërdrejta diskrete, si fjala vjen, për të parandaluar shpërthimin e dhunës”,- shkruan më tej EDA.

Për më tepër, në këtë mënyrë, mund të testohen ide, të cilat më pas do të kalojnë në negociatat zyrtare.

Zvicra, siç dihet, bën pjesë në misionin paqeruajtës ndërkombëtar të NATO-s në Kosovë (KFOR) që nga viti 1999.

Ajo ka tani 195 ushtarë zviceranë në Kosovë. Më 6 dhjetor, gjatë vizitës në Kosovë, i deleguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një konferencë për mediat, pati thënë se takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, “mund të mbahet brenda këtyre javëve”.

“Nuk kemi kohë për të humbur, nuk duhet cilësuar si presion, por duhet ta përdorim këtë moment pozitiv”,- kishte deklaruar Lajçak./rtsh/