Shpërthimet në Mitrovicën e Veriut, nga hedhja e 'shok' bombave
Në Mitrovicë të Veriut mbrëmjen e 20 dhjetorit kanë ndodhur dy shpërthime, që dyshohet të jenë shkaktuar nga hedhja e shok bombave.
Sipas Policisë, njësitet patrulluese policore kanë raportuar se shpërthimet kanë ndodhur rreth orës 20:45 dhe 21:20 në Lagjen e Boshnjakëve dhe te Tre Rrokaqiejt.“Bazuar në informacionet e deritanishme nuk është raportuar për ndonjë lëndim apo dëm material”, thanë për Radion Evropa e Lirë nga zyra për informim e Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha se shpërthimi i 20 dhjetorit në Lagjen e Boshnjakëve ndodhi në afërsi të ekipit të televizionit Tëvë1, njofton Radio Evropa e Lirë..
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësimin e thellë ndaj situatës së krijuar në veri të vendit, dhe u bën thirrje të gjithë kolegëve që të kenë kujdes të shtuar përgjatë raportimeve të tyre nga kjo pjesë. Njëherësh, AGK-ja, sërish kërkon nga organet kompetente të ndërmarrin masat e duhura që të sigurojnë gazetarët të kryejnë punë e tyre pa u rrezikuar e penguar”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Që nga fillimi i dhjetorit, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada në rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë: Jarinjë dhe Bërnjak.
Ngritja e barrikadave u bë në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici të Kosovës.
Dejan Pantiq, sipas autoriteteve në Kosovë, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të shtetit.
Kosova ka rritur prezencën e policisë në veriun e banuar me shumicë serbe, ndërkaq për shkak të barrikadave, janë mbyllur pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Aktualisht, sipas autoriteteve, në veri janë ngritur nëntë barrikada./syri/