Dhjetor 29, 2022 10:21 Europe/Tirane
  •  Gjermania: Serbët të heqin barrikadat ilegale

Qeveria gjermane dhe raportuesit e partive të ndryshme në Bundestag shprehen të shqetësuar për situatën në veri të Kosovës dhe kërkojnë gatishmëri për negociim dhe qasje më konstruktive nga Kosova dhe Serbia.

Qeveria gjermane u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të heqin barrikadat dhe të kthehen në institucionet e Kosovës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Christoph Burger, tha në një konferencë për shtyp në Berlin: “Jemi shumë të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës. Barrikadat ilegale të ngritura nga serbët e Kosovës duhet të hiqen sa më shpejt dhe bllokimi i djeshëm i kalimit kufitar të Merdarës nga ana e Serbisë e ashpërson situatën edhe më shumë”. Më tej ai kritikoi retorikën nacionaliste të Serbisë dhe bëri thirrje që kjo e fundit të heqë dorë prej saj. “Retorika nacionaliste, që kemi dëgjuar nga pala serbe në kohët e fundit është tërësisht e papranueshme dhe rritja e pranisë ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën jep një sinjal krejt të gabuar, prandaj edhe ne presim një qasje konstruktive nga ana e Serbisë dhe këtë e kemi bërë të qartë në kanale të ndryshme”, tha Burger.