Vuçiç udhëton drejt Rashkës: Do pranoj çdo vendim të popullit për barrikadat
Presidenti Aleksandër Vuçiç është nisur me helikopter nga Beogradi drejt Rashkës për tu takuar me serbët nga Kosova në vijën administrative.
Lajmin e ka bërë vet ai në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, ku ka theksuar se do të pranojë çdo vendim të serbëve për heqjen e barrikadave në veri të krahinës jugore. “Përsëri rrugës për në Rashkë, ku do të bisedoj me serbët e Kosovës dhe Metohisë. Duke e ditur se ata, deri në çlirimin përfundimtar, nuk do të kënaqen me asnjë vendim, me ndërgjegje dhe fytyrë të pastër, shkoj para tyre, i bindur se sot është një ditë e mirë për Serbinë, se kemi ruajtur paqen dhe kemi marrë garanci për sigurinë dhe mbijetesën e serbëve. Cilido qoftë vendimi i popullit tonë, unë do ta pranoj, do të jem me ta dhe do ta ruajmë unitetin serb”– ka shkruar Vuçiç në Instagram. Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, më herët në një konferencë të jashtëzakonshme për media tha se BE-ja dhe SHBA-ja kanë dhënë garancitë më të forta deri më tani se do të respektohen të gjitha kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave. Barrikadat u vendosën në 10 dhjetor nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.