EULEX-i mirëpret uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka mirëpritur uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë në katër komunat veriore pas heqjes së barrikadave ilegale.
EULEX thekson se prej ditës kur u vendosën barrikadat deri në ditën e largimit të tyre i mbështeti institucionet e sundimit të ligjit të Kosovës në ruajtjen e stabilitetit të Kosovës dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me KFOR-in. “Prej fillimit të nëntorit, EULEX-i iu përgjigj kërkesave zyrtare të Policisë së Kosovës duke i shtuar ndjeshëm patrullat vëzhguese të tij 24/7 dhe duke i filluar patrullimet në këmbë nga pjesëtarët e Njësisë Policore të Specializuar dhe Njësisë Policore të Specializuar Rezervë të tij në pjesën veriore të Kosovës për ta monitoruar nga afër situatën e sigurisë në terren. Në njoftim po ashtu thuhet se në përputhje me mandatin e tij, i cili parasheh një monitorim të fuqishëm të gjithë zinxhirit të drejtësisë, EULEX-i është duke e monitoruar nga afër edhe rastin e Dejan Pantiq, për të vlerësuar se si është duke u trajtuar ky rast nga autoritetet e Kosovës.