Janar 03, 2023 07:46 Europe/Tirane
  • Afër 30 mijë qytetarë hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës

Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) tregojnë se nga viti 2017 deri në fund të vitit 2021, nga shtetësia kosovare kanë hequr dorë rreth 25 mijë persona.

 

Ndërsa vetëm gjatë vitit 2022, rreth 4 mijë e 700 kosovarë kanë hequr dorë nga shtetësia. Ky numër është pak më i ulët se sa në vitin 2021, kur dorë nga shtetësia kishin hequr 4 mijë e 787 persona.

Sipas MPB-së arsyeja kryesore e heqjes dorë nga shtetësia është moslejimi i dyshtetësisë në shtete të ndryshme, kryesisht të Bashkimit Evropian (BE), ku kanë migruar shumë kosovarë.

 

Zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi, për Radio Kosovën, ka thënë sipas të dhënave të Ministrisë nga 1 janari e deri më 19 dhjetor 2022, numri i atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia kosovare është pak më i ulët se ai i periudhës së njëjtë të vitit 2021.

“Që nga 1 janari e deri më 19 dhjetor 2022 nga shtetësia e Kosovës, janë liruar 4 mijë e 708 persona. Prej tyre 2 mijë e 346 meshkuj dhe 2 mijë e 362 femra”, ka theksuar Fetoshi. Sipas saj, gjatë periudhës së njëjtë në vitin 2021, nga shtetësia janë liruar 4 mijë e 787 persona.

Fetoshi ka folur edhe për arsyet që i shtyjnë kosovarët të heqin dorë nga shtetësia. “Arsyet pse personat heqin dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, është pasi shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dyshtetësinë përfshirë edhe disa shtete që nuk janë pjesë e BE-së”, ka deklaruar Fetoshi.

“Duke pasur parasysh që një numër i madh i shtetasve tanë jetojnë tashmë me vite në këto shtete e një numër i madh edhe kanë lindur në këto shtete dhe si rezultat i saj kanë fituar të drejtën e fitimit të shtetësisë dhe janë të obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme nëse dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi”, ka shtuar Fetoshi.

Gjatë vitit 2022, ka pasur edhe një numër të konsiderueshëm të qytetarëve që kanë fituar shtetësinë e Kosovës,

“Gjatë periudhës nga 1 janari deri më tani shtetësinë e Republikës së Kosovës e kanë fituar 574 persona”, ka thënë Fetoshi./syri/