Dugolli, Komisioni i Sigurisë: Kërkesa e Serbisë për ushtarë në Kosovë, e pamundur!
Prishtinë - Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se KFOR-i i është përgjigjur negativisht kërkesës së Serbisë për kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë. Ndërkohë, kjo përgjigje në Kosovë po vlerësohet si konsum politik i bërë nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Zyrtarë institucionalë, por edhe njohës të çështjeve të sigurisë, thonë se kërkesa ishte joreale dhe se një gjë e tillë nuk kishte bazë për të ndodhur, njofton RTK.
Përgjigjja negative e KFOR-it ndaj kërkesave të Serbisë në Kosovë prej kohësh është parë si çështje e mbyllur. Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Enver Dugolli, konsideron se kjo kërkesë e Serbisë ishte vetëm për konsum politik.
Në një përgjigje me shkrim për RTK-në, ai tha se kërkesa e Serbisë për t’i kthyer 1000 trupa më Kosovë ishte joreale dhe e pamundur sepse Kosova është shtet sovran dhe i njohur nga pjesa dërmuese e shteteve më të fuqishme dhe demokratike.
Për më tepër, Dugolli theksoi se kjo kërkesë ishte e pabazuar në realitet.
Ndërsa njohësi për çështje të sigurisë në vend, Nuredin Ibishi tha për RTK-në se me shpalljen e pavarësisë në 2008 dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Kosova nuk mund të rrezikojë që trupat ushtarake serbe të kthehen.
“Realisht ne e kemi gjendjen edhe dejuro edhe de facto të tejkaluar për kërkesa të Serbisë. Në rend të parë sa i përket statusit të Kosovës, pra Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, është vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me miratimin e kësaj dhe një mori çështjesh për të cilat dispozitat e kësaj rezolute që kanë të bëjnë me mundësinë e kthimit të forcave të armatosura të Serbisë në Kosovë, ose si them unë kthimi në vendin e krimeve të luftës nuk do të mundësohet ngaqë të gjitha ato që kanë qenë të përcaktuara, çminimi, çështja e sigurimit të kalimeve kufitare, çështja e sigurimit të trashëgimisë kulturore e fetare serbe janë të mbrojtura nga Policia e Kosovës”, tha ai.
E presidenti serb, Aleksandër Vuçiç duke njoftuar opinionin për përgjigjen negative që ka marrë tha se përgjigjja ndodhi pikërisht në ditën e Krishtlindjes./syri/