Janar 10, 2023 10:37 Europe/Tirane
  • Analisti amerikan kritikoi 'Ballkanin e Hapur'/ Vuçiç e ofendon: Bastard!

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka sulmuar ashpër me fyerje analistin amerikan, Edward Joseph, i cili ka mbajtur disa qëndrime shumë të forta kundër nismës së Ballkanit të Hapur.

Jo vetëm kaq, por Joseph ka deklaruar disa herë se Vuçiçi po vepron njësoj si presidenti rus, Vladimir Putin.

Joseph tha se qetësia në Kosovë do të zgjasë derisa Vuçiçi të vendosë se i duhet një krizë e re. Sipas tij, presidenti serb po manipulon Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

 

Gjatë një interviste në televizionin Prva, Aleksandar Vuçiç tha se Edward Joseph, pedagog në universitetin ‘Johns Hopkins’ dhe ish-kreu i misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – është një “bot shqiptar”.

Duke e quajtur “bastard”, Vuçiç po ashtu deklaroi për televizionin serb se ky ekspert i Ballkanit merr “shumë para nga lobi shqiptar”.

Presidenti serb nuk ofroi dëshmi për këto pretendime.

Pas akuzave të Vuçiçit, Joseph shkroi në Twitter se ato janë “krejtësisht të rreme” sa i përket lidhjeve të pretenduara financiare mes tij dhe “lobit shqiptar”.

“Aleksandër Vuçiç nuk ka dëshmi për t’i mbështetur këto akuza serioze sepse lidhje të tilla nuk ka dhe nuk ka pasur asnjëherë. Qëndrimet e mia janë produkt i dhjetëra viteve në terren – në të gjitha konfliktet në Ballkan, përfshirë edhe vitet e luftës”, shkroi Joseph.

Ai shtoi se duke e ofenduar dhe sulmuar personalisht atë, Vuçiç tregoi edhe një herë karakterin e tij./syri/