Janar 10, 2023 10:39 Europe/Tirane
  • Reagon DASH për sulmin e Vuçiç/ Ja ç’tha Joseph për Ballkanin e Hapur

Departamenti i Shtetit reagoi pasi presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, sulmoi me ofendime profesorin amerikan, Edëard Joseph, pasi ky i fundit kishte lëshuar kritika të ashpra ndaj politikave të Vuçiç, duke përfshirë këtu edhe nismën e Ballkanit të Hapur.

Ndërkohë, Departamenti i Shtetit tha se nuk pranohen këto taktika të njollosjes.

 

“Nuk ka vend në shoqëritë demokratike për taktikat e njollosjes kundër qytetarëve, sikurse ato që janë përdorur ndaj Edward Joseph,” shkroi në Twitter Departamenti Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Azinë.

Departamenti Amerikan i Shtetit shtoi se zërat e pavarur dhe organizatat e shoqërisë civile promovojnë llogaridhënien dhe transparencën. “Ne vlerësojmë ata që ndërtojnë shoqëri paqësore në Ballkanin Perëndimor”, tha DASH.

Edhe një ditë më parë, në një intervistë për Euronews Albania, Joseph kritikoi ashpër nismën e Ballkanit të Hapur. Ai tha se kjo nismë është shumë e rrezikshme për Ballkanin. Ai ishte i ftuar për të komentuar situatën e tensionuar në Kosovë, por edhe në mbarë rajonin.

“Kjo është një situatë që të krijon shpërbërjen e Jugosllavisë. Po, ka një përpjekje të Beogradit për të ndarë Kosovën dhe për të pasur një status-quo.  Vazhdimi i kësaj status-quoje është e mirë për Serbinë dhe Rusinë. Për sa kohë Kosova nuk ka një shteg të pastër drejt njohjes së saj, kjo është mirë për Rusinë dhe Serbinë, sepse i siguron presidentit Vuciç të shmangë kontrollet ndërkombëtare dhe të ruajë ndikimin e tij në Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, duke e bërë këtë me mbështetjen e presidentit rus Putin.

SHBA, BE dhe NATO janë në një pozitë shumë të dobët. Arsyeja e vazhdimit të kësaj krize në Ballkan është se katër vende të BE nuk e njohin Kosovën. Kjo e shkakton kaosin. Ajo po ndodh jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje. Kemi krizë edhe në Mal të Zi. Duke mos njohur Kosovën, këto vende të i japin shumë pushtet Serbisë. Vetë Serbia nuk ka interes ta njohë Kosovën, por ka interes të vazhdojë trazirat jo vetëm në Kosovë, por edhe në Mal të Zi dhe Bosnje.

Kemi një përputhje të linjave mes presidentit Vuçiç dhe presidentit Putin. Të dyja vendet përdorin organet mediatike për të promovuar propagandën ruse. Në këtë situatë, komuniteti ndërkombëtar ndjehet i mbërthyer në kurth. Ata kanë promovuar idenë e ‘Ballkanit të Hapur’, e cila në vetvete është një ide shumë e rrezikshme për Ballkanin,” tha Joseph.

Sipas tij, ndërkombëtarët duhet t’i kërkojnë Tiranës që të luftojë korrupsionin, por dhe të respektojë nismën e Procesit të Berlinit. “Ballkani i Hapur është një mbështetje e hapur e presidentit Vuciçiç, që nga ana e tij ka bashkuar forcat me presidentin Putin,” tha ai./syri/