Janar 17, 2023 10:05 Europe/Tirane
  • Greqia përcjell mbretin e fundit

Është mbajtur në Greqi ceremonia mortore e ish-mbretit Constantin II, i cili ndërroi jetë disa ditë më parë në moshën 82 vjeçare.

Trupi i pajetë i monarkut u varros në ish-pallatin mbretëror veror në Tatoi, në një ceremoni ku morën pjesë anëtarë të familjeve mbretërore nga e gjithë Europa.

Ndonëse ishte një ceremoni familjare, dhjetëra mbështetës të monarkisë ishin mbledhur për të përshëndetur mbretin e tyre.

Mbreti i Spanjës, Felipe, mbretëresha Letizia dhe ish-mbreti Juan Carlos ishin mes të afërmve që ndoqën ceremoninë në Kishën greke.

Kostandini II vdiq të martën në moshën 82-vjeçare. Ai ishte djali i vetëm i Mbretit Paul dhe Mbretëreshës Federica të Greqisë dhe erdhi në fron në vitin 1964, pas vdekjes së babit të tij, por u përball me paqëndrueshmëri të madhe politike, që kulmoi me një grusht shteti në 21 prill të 1967-tës.

Disa muaj më vonë, ai u detyrua të arratisej nga vendi pasi drejtoi një kundër grusht shteti ndaj juntës ushtarake të asaj kohe. Ai qëndroi në Romë derisa junta shfuqizoi monarkinë në 1973-shin.

Në një referendum të thirrur nga qeveria e unitetit kombëtar e drejtuar nga Konstantinos Karamanlis pas rrëzimit të juntës në vitin 1974, grekët e refuzuan monarkinë për herë të dytë, duke e bërë Kostandinin mbretin e fundit të Greqisë. Athina i hoqi më pas atij, shtetësinë.

Pasardhës i familjes mbretërore daneze të Glücksburg, Kostandini ishte kushëri i dytë i mbretit Charles III dhe kumbar i Princit të Uellsit, William. Me bashkëshorten e tij, Mbretëresha Anne-Mariee dhe 5 fëmijët jetuan në Londër për vite me radhë para se të rikthehej në Greqi./syri/