Janar 17, 2023 10:06 Europe/Tirane
  • Mediat malazeze: Gjukanoviç qëndroi në një hotel ku kushton 20 mijë euro nata

Presidenti i Malit të Zi , Milo Gjukanoviç, me gruan e tij Lidija dhe dy oficerë të Drejtorisë së Policisë që i ofrojnë sigurinë, qëndruan në hotelin luksoz Grand Hotel des Bains Kempinski në resortin e modës zvicerane të Shën Moritz nga data 30 dhjetor deri më 7 janar.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kanë thënë për “Vijesta” se shpenzimet për udhëtimin zyrtar të zyrtarëve të tyre kanë shkuar në mbi 11 mijë euro. Shpenzimet për sigurimin e personave të mbrojtur përballohen nga shteti.

“Nga shuma totale, shuma prej 8,931,42 euro i referohet akomodimit në hotel, ndërsa shpenzimet ditore kanë qenë 2,209,20 euro”, thuhet në përgjigjet e MPB-së në pyetjet e “Vijesti”.

Faqja e hotelit jep informacion se për të njëjtat data që ka qëndruar Gjukanoviq, por për fundin e këtij viti dhe fillimin e vitit të ardhshëm, akomodimi më i lirë mund të gjendet për rreth 1800 euro nata në një dhomë 25 metra katrorë, ndërsa apartamentet fillojnë nga 2500 euro për natën deri në mbi 13 mijë euro për suitën presidenciale. Hoteli ofron edhe “rezidenca” që fillojnë nga 5000 euro nata dhe opsioni më i shtrenjtë kushton 20000 euro. Gjithashtu, nuk është e mundur të rezervoni një dhomë për më pak se shtatë ditë në ato data.

Në evidencën pasurore të Gjukanoviçit shihet se paga e raportuar e presidentit është rreth 2200 euro në muaj, ndërsa bashkëshortja e tij Lidija merr pak më shumë se 900 euro. Gjukanoviq u nis për në Zvicër më 30 dhjetor pas një vizite pune në Stamboll.

/syri/