Gabriel Escobar thirrje autoriteteve në Mali të Zi: Zgjidhni krizën politike
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, paralajmëroi për “shumë pasoja të mundshme” nëse Mali i Zi nuk zgjidh krizën e thellë politike dhe institucionale disamujore.
“Mali i Zi është në një krizë shumë të thellë. Është afër një kolapsi institucional që nuk e kam parë në asnjë vend. Nuk ka qeveri. Dy qeveri kanë rënë dhe nuk ka pasur përparim në formimin e një tjetër. Nuk kanë një kuorum në Gjykatën Kushtetuese që mund të konfirmojë zgjedhjet e reja”, tha Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë vizitës së tij në Beograd, shkruan Vijesti. Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit kujtoi se mandati i presidentit Milo Gjukanoviq skadon në pranverë. Kryetarja e Parlamentit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviç, ka shpallur së fundmi zgjedhjet presidenciale të 19 marsit. “Mund të ndodhë që ata të mos kenë një president që t’i besojë mandatin, të mos kenë një qeveri që të ecë përpara dhe Gjykata Kushtetuese të miratojë të gjitha vendimet dhe të konfirmojë rezultatet e zgjedhjeve”, theksoi Escobar. Zyrtari amerikan përsëriti se detyra kryesore është plotësimi i menjëhershëm i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, “dhe më pas kalimi në zgjedhje”.