Sulmohet me armë zjarri makina e policisë në veri të Kosovës
Persona të dyshuar kanë shtënë sot me armë zjarri në drejtim të patrullës policore e cila ka qenë me detyrë zyrtare lokacionin Banjskë – Izvor të komunës së Zveqanit.
Sipas Policisë, fatmirësisht nuk raportohet për zyrtarë policorë të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në veturën zyrtare të Policisë së Kosovës, përkatësisht në dritaren/xhamin e automjetit zyrtar nga ana e majtë e vozitësit, i cili dyshohet të ketë qenë edhe cak i sulmit me armë zjarri.
Lidhur me rastin janë ndërmarr veprimet e nevojshme operative hetimore, përfshirë edhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes, nga ku është konstatuar se vetura është goditur me një predhë të armës së zjarrit. Njësitet relevante policore kanë vazhduar me hetime intensive, duke arritur të identifikojnë një veturë të dyshuar të braktisur (xhip-opel), në një rrugë malore në distance prej rreth 250 metra largësi, e cila dyshohet se mund të jetë e përfshirë në rast. Po ashtu në afërsi të automjetit të dyshuar janë vërejtur edhe gjurmët e personave të dyshuar të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur. Automjeti i dyshuar i cili ka poseduar targa të dyshuara, të cilat dyshohet se nuk i përkasin të njëjtit automjet, është konfiskuar nga Policia e Kosovës për të vazhduar me procedurat e mëtejme hetimore dhe të ekzaminimit. Në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti, vrasje në tentativë dhe sulm ndaj personit zyrtar”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të sigurisë dhe rendit kushtetues të RKS-së./syri/