Kosovë, 33 vjet nga nisma e Anton Çettës për pajtimin e gjaqeve
Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çettës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.
Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë, shkruan RTK.
Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes Gjithëkombëtare si përgjigje Millosheviqit për vetë emërimin si “kral” i të gjithë serbëve në Fushë Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i paevitueshëm.
Kjo lëvizje u emërua si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetar u zgjodh Ibrahim Rugova. Ai kishte pranë vetes edhe njerëz të njohur si atdhetar. Askush nuk luftonte për bajraktarizëm por për atdheun, shkruan KosovaPress.
Kjo rini e shëndoshë pa hezitim timonin e pajtimit ua dhuroi Anton Çettës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbar trojet tona etnike.
Njerëzit në atë kohë në krye me Anton Çettën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh…pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për tu bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin.
Faleshin për hatrin e atdheut. Në këto tubime madhështore që organizoheshin anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit e n´Verra të Llukës, në Shalë e në Karadak, në Llap, Drenicë e Gollak, në Has, Rekë, Podrime, Lapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte kris ora më e madhe e historisë sonë. Falje të gjaqeve vazhdojmë të kemi edhe tani./syri/