Kurti: Pa njohje, s’ka dialog me Serbinë
Kuvendi i Kosovës është përfshirë nga debatet, lidhur me procesin e dialogut me palën serbe. Kryetari i Partisë Demokratike Memli Krasniqi kritikoi Qeverinë Kurti për mungesë transparence dhe i drejtoi disa pyetje lidhur me planin franko-gjerman të pranuar tashmë nga kryeministri.
“Çka është qëllimi i propozimit evropian? A ofron ky propozim mundësinë e arritjes së marrëveshjes finale, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht obligative për palët apo vetëm krijimin e një status kuoje të re që e zëvendëson status kuonë aktuale? A është ky propozim vazhdimësi e Dialogut të deritashëm apo një pikënisje e një procesi të ri? Cila është korniza kohore për arritjen ose mosarritjen e marrëveshjes potenciale? A është formati i këtij propozimi një lloj traktati që i njeh si entitete sovrane edhe Kosovën, edhe Serbinë? Cili është teksti i fundit dhe përmbajtja zyrtare e këtij propozimi? A e keni pranuar këtë tekst në parim dhe sa besoni se mund të ndryshojë teksti final prej versionit që keni deklaruar se e pranoni si bazë të mirë?”- tha Memli Krasniqi
Akuzave iu përgjigj kryeministri Albin Kurti, i cili tha se qasja e tij mbi dialogun, ka qëllim njohjen e ndërsjellë.
“Qasja strategjike nga Qeveria e Kosovës përballë dialogut me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja është ndërtuar mbi bazën e dy qëllimeve fillestare: e para, ndërprerjen e praktikës së përfshirjes në çdo çështje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve në fushëveprimin e dialogut. Qëndrimi ynë ishte që maksimumi që mund të diskutohej në Bruksel ishin problemet e zbatueshmërisë së problemeve ekzistuese (atyre që ishin nënshkruar para ardhjes sonë në qeveri).”- tha ai./shqiptarja/