“Arrestoni Vuçiçin”, “tradhti”! Përshkallëzohet protesta në Beograd
Të djathtët në Serbi, të cilët kanë protestuar sot në qendër të Beogradit për shkak të planit perëndimor për Kosovën, në një moment kanë shembur gardhin pranë Presidencës dhe janë afruar te godina duke thirrur “ku është Vuçiç” dhe “tradhti, tradhti”.
Sipas medias serbe të afërt me regjimin N1, ata kanë qëndruar pranë hyrjes së Presidencës, derisa në vendngjarje ka arritur policia duke shpërndarë njerëzit e mbledhur aty.Raportohet se protestuesit kanë bërë thirrje si, “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “arrestoni Vuçiçin”, ndërsa ishin larguar pas dhjetë minutash nga ndërtesa.
Kujtojmë se protesta e organizuar nga disa organizata të djathta në Serbi, ka nisur pranë godinës së Kuvendit Kombëtar.
Të djathtët e mbledhur atje janë duke protestuar kundër propozimit franko-gjerman për Kosovën, ndërsa janë duke kërkuar që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç të tërhiqet nga negociatat për Kosovën./syri/