Shkurt 21, 2023 08:37 Europe/Tirane
  • Udhëtonin me minibus/ Kapen 43 emigrantë në Bullgari, mes tyre 10 fëmijë

Policia bullgare ka ndaluar të dielën një minibus me 43 emigrantë pranë qytetit Ikhtiman, sipas agjencisë së lajmeve BTA. Më vonë, të hënën në mëngjes, prokurorja e distriktit të Sofjes, Natalia Nikolova, tha për bTV se dhjetë nga emigrantët ishin fëmijë.

Lajmi vjen pasi 18 emigrantë u gjetën të mbytur në një kamion të braktisur pranë fshatit Lokorsko të Sofjes të premten. 34 persona të tjerë u gjetën në gjendje të rëndë.

Sipas Nikollovës, minibusi i sekuestruar të dielën u pajis me karburant, por shoferi nuk pagoi. Një makinë patrullimi e kapi dhe policia konstatoi se në furgon kishte emigrantë. Dy nga fëmijët janë të moshës 8 dhe 12 vjeç dhe udhëtonin me babanë e tyre, ndërsa shtatë të mitur të tjerë udhëtonin të vetëm.

Të gjithë emigrantët janë në gjendje të mirë shëndetësore, megjithëse kishin qenë duke qëndruar në një hapësirë të vogël.

Pas ngarjeve të së premtes, shtatë persona janë arrestuar. Të hënën, Prokuroria e Sofjes do të kërkojë arrestimin e përhershëm të pesë prej tyre. Ata akuzohen për bashkëpunim në vdekjen e 18 emigrantëve.

Të dielën një tjetër person u ndalua në Greqi si bashkëpunëtor në këtë krim. Autoritetet greke do të shqyrtojnë mundësitë se si ta ekstradojnë atë në Bullgari, tha për BTA zëvendësprokurori i Sofjes, Hristo Krastev.

Zëvendësprokurori i përgjithshëm, Borislav Sarafov, njoftoi të premten se emigrantët kaluan kufirin duke përdorur një shkallë, pastaj kaluan disa ditë në pyll afër qytetit të Yambol dhe më pas u ngarkuan në minibus.

Të gjithë pasagjerët ishin burra të moshës 13 deri në 35 vjeç, shumica e tyre nga Afganistani. Asnjë prej tyre nuk posedonte dokumente identifikimi, ndaj të gjitha informacionet që autoritetet kanë për ta vijnë nga vetë rrëfimet e 34 të mbijetuarve.

Ata donin të transportoheshin në Serbi, prej nga do të vazhdonin rrugën për në Evropën perëndimore. Hetimi i autoriteteve bullgare zbuloi se emigrantët paguanin nga 5.000 deri në 7.000 euro për transport. Kreu i grupit merrte nga 500 deri në 1.000 euro për person, ndërsa shoferët 100 euro për emigrant të transportuar.

Në vitin 2015, në një rast të ngjashëm, trupat e 71 emigrantëve u gjetën në një kamion të braktisur në Austri. Më pas, katër trafikantë njerëzish u dënuan me burgim të përjetshëm, duke përfshirë një afgan, udhëheqës i grupit, dhe tre bashkëpunëtorë bullgarë.

Ata u shpallën fajtorë për trafikim të organizuar të qenieve njerëzore dhe vrasje. Ata refuzuan të ndalonin kamionin dhe të hapnin dyert për të lejuar qarkullimin e ajrit, pavarësisht lutjeve të njerëzve të ngjeshur brenda./syri/