Edukatorja e godet një fëmijë në një çerdhe në Mitrovicë
Një rast skandaloz ka ndodhur në “Kopshtin dhe Çerdhe Nina në Mitrovicë. Atje, një fëmijë i moshës 5-vjeçare është sulmuar fizikisht nga eduktatorja. Rastin për sulmin ndaj vogëlushit e ka denoncuar në polici nëna e viktimës.
Një kujdestare në “Kopsht dhe Çerdhe Nina” në Mitrovicë do të përballet me organet e drejtësisë pasi që dyshohet se ka sulmuar fizikisht fëmiun 5-vjeçar. Rasti është denoncuar në polici nga nëna e viktimës nga ku më pas e dyshuara është intervistuar në Prokurori, shkruan lajmi.net.
E rasti është konfirmuar edhe nga vet “Kopsht dhe Çerdhe Nina”.
Këta të fundit me anë të një reagimi, kanë bërë me dije se sulmi ka ndodhur gjatë ditës së djeshme, nga edukatorja me inicialet A.A, ndaj vogëlushit me inicialet S.I.
Pronarja e këtij institucioni, Agnesa Shipoli Nika, në komunikatën e publikuar thotë se ka vërtetuar sulmin pas shiqimit të kamerave.
Ajo thotë se rastin e ka paraqitur në polici. Shipoli Nika, thotë se ka kontaktuar edhe me vet të dyshuarën e cila ka pranuar rastin duke thënë se i njëjti ka ndodhur në afekt, dhe se veprimin e ka bërë “pa dashje”.
“Menjëherë pas pranimit të këtij informacioni kam bërë shiqimin e videokamerave të institucionit meqë rast kam vërtetuar se edukatorja kishte qëlluar fëmiun S.I, me një shuplakë në fytyrë. Më pas kam ftuar edukatoren në fjalë dhe kam kërkuar sqarim lidhur me një sjellje të tillë të kundërligjshme dhe e njëjta ka pohuar se dyshimet e ngritura janë të vërteta dhe një sjellje të tillë e kam bërë në afekt pa qëllim apo pa dashje”, thotë ndër të tjera pronarja e këtij institucioni.