Mars 08, 2023 08:46 Europe/Tirane
  • Vazhdon debati në parlamentin e Kosovës për dialogun me Serbinë

Prishtinë - Sot Kuvendi i Kosovës, do të vazhdojë punimet me pikat e papërfunduara nga seancat plenare të kaluara.

Në rend dite janë dhjetëra pika që kanë mbetur nga seancat e kaluara. Pikë e rendit të ditës është debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë SI dhe Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me çështjen: ”Siguria juridike e grave në rastet e dhunës në familje dhe përgjegjësia e organeve shtetërore në parandalimin edhe luftimin e krimeve ndaj grave dhe vajzave”, njofton RTK.

Në rend dite është votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”,

Kuvendi do të vazhdojë më punimet ku është paraparë interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me çështjen: ”Siguria juridike e grave në rastet e dhunës në familje dhe përgjegjësia e organeve shtetërore në parandalimin edhe luftimin e krimeve ndaj grave dhe vajzave”.

Ndërsa pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 19 janar 2023, është votimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021 dhe shqyrtimi i Raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Po ashtu do të jetë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitës, shqyrtimi i Raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2021, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.

Ndërsa pikat e papërfunduara nga Seanca plenare e mbajtur më 9 shkurt 2023 janë: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mjekësinë Ligjore, shqyrtimi i rekomandimeve për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Komunikimet Elektronike, përzgjedhja e një anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Kurse vazhdimi i Seancës plenare, e filluar më 13 shkurt 2023, ka një pikë të rendit të ditës atë të   debatit parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Po ashtu Kuvendi do të votojë raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, shqyrtimi i parë i Projektligjit për parqet industriale dhe teknologjike, shqyrtimi i parë i Projektligjit për investime të qëndrueshme, shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Moxico Luma Kosova Mining L.L.C.”, shqyrtimi i Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe propozimi i GP “Multietnik” për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bekim Arifi./syri/