Drama e fshehur te ‘Asociacioni’
Vazhdojnë me e ba dramë. Dhe aty ka një dramë. Nuk është te krijimi apo moskrijimi i “Asociacionit”. Drama e Shoqatës së komunave me shumicë serbe është e fshehur, e maskuar. Përgjon në pritë.
I njëjti emërtim “Asociacioni i…” mbushet me përmbajtje të kundërta. Nën të njëjtën etiketë, dikush shërben helm, dikush melhem.
1. Koncepti amerikan: shoqatë në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës. Këshilltari i DASH, Derek Chollet, i qartë: “Asociacioni… në pajtim me Kushtetutën e Kosovës… Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin një organizimin të tipit Republika Serbe”.
Në një vend të lirë, demokratik, çdo organizim sipas ligjeve të vendit, bën pjesë në të drejtën e shtetasve. Dhe Kosova është vend i lirë, demokratik.
2. Koncepti i Beogradit. Vuçiçi e ka bërë “Asociacionin” kalë beteje. Kur flet për “Asociacionin”, me sytë e mendjes sheh një simotër të “Republikës serbe” në Bosnjë. Vetëm atë. Këtu fshihet drama potenciale. Minë me sahat për Kosovën.
Mençuria e faktorit politik në Prishtinë: vëmendje e veçantë ndaj formulimeve dykuptimëshe, me virus. Qoftëlargu përgjon në detaje.
Europa ka modele organizimesh të pakicave. Prej tyre mësohet, por asnjë nuk mund të kopjohet. Sepse Serbia sillet ndryshe nga cilido vend europian. Agresive ndaj Kosovës. Raciste ndaj shqiptarëve. Synime të hapura kolonialiste.
Edhe një mungesë vëmendjeje mund të jetë vetëvrasëse.
Dhe kush vret veten, shkon gjakhupun!/syri/