Miroslav Lajçak nis sot vizitën zyrtare në Beograd
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, sot nis vizitën e tij në Beograd, në kuadër të përgatitjeve për takimin e ardhshëm të liderit serb dhe atij kosovar në Ohër, njofton gazeta serbe Danas.
Lajçak sot në ora 14:30 do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas qëndrimit dyditor të javës së kaluar në Prishtinë, ku ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe aktorë të tjerë politikë.Fokusi i bisedimeve do të jetë udhërrëfyesi për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën Vuçiç dhe Kurti, sipas kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borell, ranë dakord më 27 shkurt në Bruksel.
Më 9 mars në Prishtinë, Lajçak tha se ka pasur një bisedë konstruktive dhe shumë të rëndësishme me Kurtin për zbatimin e Marrëveshjes dhe ka shtuar se takimi i ka përmbushur pritjet e tij dhe se ai “e kupton mirë” se cilat janë pritjet e Kosovës.
Pas takimit me Kurtin, diplomati sllovak tha gjithashtu se të dyja palët duhet të pajtohen për aneksin e zbatimit, sepse Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë juridikisht e detyrueshme pa të.
Më 10 mars, Lajçak deklaroi se beson se Marrëveshja do të zbatohet së paku pjesërisht, nëse jo plotësisht, duke deklaruar se harmonizimi i "një pjesë të mirë" të udhërrëfyesit do të jetë një sukses i rëndësishëm.
Më 9 mars, Vuçiç tha se Lajçak do të qëndrojë në Beograd deri të mërkurën dhe deklaroi se “do të kalojnë dy ditë me të në përpjekje për të gjetur një rrugë progresi për normalizimin e marrëdhënieve” mes dy palëve.
Por, një ditë më vonë, Kurti përsëri hodhi poshtë mundësinë e formimit të Unionit të Komunave Serbe (Asosacionit, për të cilën insiston Beogradi, duke thënë se zgjidhjet jokombëtare nuk janë të mundshme në rendin juridik të Kosovës.
Vuçiç më pas deklaroi se pas deklaratës së Kurtit “nuk e ka të qartë” se çfarë duhet të diskutojë me të në Ohër dhe më parë me Lajçakun në Beograd. Ai përsëriti se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe as nuk do të japë pëlqimin për hyrjen e Kosovës në OKB.
"Më besoni, nuk e kuptoj se për çfarë duhet të flasim." Thonë se bisedimet kanë qenë konstruktive dhe kanë qenë aq konstruktive, saqë të vetmen gjë për të cilën është dashur të flasin (formimin e Asosacionit) kanë thënë se nuk do ta përmbushin. Pse po vini në Beograd?!”, tha Vuçiç të premten.
Sipas portalit Nova, Lajçak do të flasë edhe me përfaqësuesit e opozitës në Beograd, ashtu siç bëri në Prishtinë, për të dëgjuar qëndrimin e tyre për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Më 18 mars, Vuçiç dhe Kurti do të takohen në Ohër në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe fokusi i takimit të organizuar nga Borell do të jetë finalizimi i Aneksit Zbatues të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./syri/