Lajçak: Po përfundojmë përgatitjet për takimin Kurti-Vuçiç më 18 mars në Ohër
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, tha dje se ka përfunduar takimet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin ka biseduar për aneksimin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Përmes një postimi në Twitter, ai tha se ka dëgjuar komentet e Vuçiqit për planin e zbatimit dhe për rrugën përpara drejt marrëveshjes.“Pasi kam pranuar qëndrimet e të dyja palëve, ne tani do të finalizojmë përgatitjet për takimin e Ohrit”, shkroi ai, njofton Radio Evropa e Lirë.
Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohen në Ohër më 18 mars për të diskutuar për planin e zbatimit të propozimit evropian, për të cilin u dakorduan në Bruksel më 27 shkurt.
Asociacioni, "kushti kryesor për zbatimin e propozimit evropian"
Ndërkaq, gjatë qëndrimit dyditor në Serbi ka dhënë një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS) ku ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, duhet të formohet në Kosovë, pasi “nëse nuk ka Asociacion, nuk ka marrëveshje”.
Sipas tij, Asociacioni është parakushti kryesor për zbatimin e propozimit evropian.
Lajçak i ka bërë këto deklarata në një intervistë që pritet të publikohet mbrëmjen e së martës në televizionin publik serb, pak ditë para takimit që pritet të mbahet më 18 mars në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë takim palët pritet të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit të Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve.
Në takimin e fundit më 27 shkurt në Bruksel, ata kanë thënë se pajtohen me përmbajtjen e dokumentit, që quhet edhe "Marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve".
Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashhkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Në intervistë, Lajçak është raportuar të ketë thënë se synimi i dialogut mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga BE-ja, nuk është që dikush të fitojë apo të humbë.
“Synimi është që të gjejmë situatë që nxjerr fitues dy palët dhe që ua hap rrugën evropiane”, ka thënë deklaruar Lajçak.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Ndonëse propozimi i BE-së nuk përmend në mënyrë specifike Asociacionin, në të theksohet që palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet që kanë nënshkruar në të kaluarën.
Në mesin e tyre është edhe ajo për Asociacionin.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.
Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.
Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.