Mars 28, 2023 07:28 Europe/Tirane
  •  Institucionet paralele të Serbisë që veprojnë lirisht në Kosovë

Mijëra qytetarë serbë të Kosovës vazhdojnë punën në institucione paralele, të financuara dhe menaxhuara nga shteti i Serbisë, që nga paslufta më 1999. Serbia ndan dhjetëra-miliona euro për to çdo vit.

Komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme, si dhe universitete publike, të financuara drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, ka në shumë qytete të Kosovës, ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb, shkruan Shkëlqim Hyseni në Radio Evropa e Lirë.

Këta mekanizma, edhe pse jolegalë sipas ligjeve të Kosovës, nuk janë ndalur së vepruari, pavarësisht se Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.

Një marrëveshje për shuarjen e tyre është arritur në prill të vitit 2013, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj i plotë në terren lë për të dëshiruar.

Një pjesë e komunitetit është integruar vetëm në disa institucione, si policia apo gjyqësia.

Në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia janë pajtuar edhe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të kishte “juridiksion të plotë” në fusha të caktuara, si: planifikimi hapësinor, shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e kështu me radhë.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk e ka zbatuar kurrë këtë marrëveshje, me arsyetimin se mund ta kërcënojë funksionalitetin e shtetit.

Në një takim në Ohër, më 18 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për zbatimin e një marrëveshjeje të re drejt normalizimit, të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Kjo marrëveshje, mes tjerash, parasheh që komunitetit serb në Kosovë t’i sigurohet një “nivel adekuat i vetëmenaxhimit”.

Saktësisht se për çfarë bëhet fjalë, nuk dihet ende./syri/