Mars 29, 2023 08:17 Europe/Tirane
  • Albin Kurti: Ekipi i NATO-s në FSK na mundëson anëtarësimin në aleancë

Ministria e Mbrojtjes sot ka mbajtur ceremoninë e pranim-dorëzimi të detyrës së drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).

Me këtë rast gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein ka marrë detyrën e drejtorit të NALT nga gjeneral brigade Joachim Hoppe, i cili e ka drejtuar NALT që nga prilli i vitit 2022 teksa e pranishme ishte edhe shefja e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe.Kryeministri i vendit, Albin Kurti, theksoi se Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, na mundëson të ruajmë sigurinë tonë aktuale dhe të sigurojmë një të ardhme drejt Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimit në NATO.

“Mbështetja nga NALT dhe në veçanti nga Gjenerali Hoppe, në hartimin e tre ligjeve bazë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, themelimin e komisionarit parlamentar për FSK-në dhe bashkëpunimin e ngushtë në përmirësimin e procesit të rekrutimit ishte vendimtare për përmirësimin efektiv të mbikëqyrjes demokratike civile të Forcës”, tha Kurti.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në fjalën e tij, tha se kontributi i Gjeneralit Hoppe kanë ndihmuar në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës, duke kontribuar në sigurinë e përgjithshme të rajonit dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar.

Nga ana e tij, drejtori i ri i NALT, gjeneral brigade, Ralf Peter Hammerstein, u shpreh falënderues për mirëseardhjen e ngrohtë në Kosovë dhe theksoi se do të ruajë mbështetjen e NALT-it për organizatat e sigurisë në Kosovë duke vazhduar të ndërtojë më tej mbi përpjekjet e pararendësit të tij./syri/