Shumë zhurmë për Asociacionin, por Kurti i bindur se po e 'vetëmenaxhon'
Takimi i Ohrit mes Kurtit e Vuçiqit nuk po e ulë presionin nga ndërkombëtarët ndaj tyre, përkundrazi e ka shtuar edhe më shumë atë.
Nga Bashkimi Evropian po kërkohet me këmbëngulje nga Serbia e Kosova që të fillojnë zbatimin e marrëveshës së 18 marsit. Këtë po e konfirmon edhe Petar Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian.
Kosova dhe Serbia kontraktualisht janë të obliguara që ta zbatojnë marrëveshjen e Ohrit”.
Stano ka thënë se institucionet e Bashkimit Evropian, me mbështetjen e liderëve të BE-së, në ditët në vijim do të ndërmarrin hapat e parë drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, së bashku me Kosovën dhe Serbinë.
Ai shton se nëse Kosova dhe Serbia nuk e bëjnë këtë “atëherë do të braktisin rrugën drejt Bashkimit Evropian”, këtë paralajmërim Stano e dha duke iu referuar deklaratave të Josep Borrell, shefit për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së.
Nga Kosova nuk po ka hezitime për mosimplementimin e marrëveshjes, ani pse ende qeveria kosovare nuk ka nisur të punojë në krijimin e statutit për Asociacionin, e që tani po quhet ‘vetëmenaxhim i komunave me shumicë serbe’.
Të paktën kështu po e sheh profesori i Shkencave Politike, Dritro Arifi.
“Ajo që do të ndodh me Asociacionin sipas Qeverisë Kurti mbetet të shihet, por ende nuk po shohim sinjale që ka filluar të punohet në atë drejtim diçka, sepse për Kosovën është esenciale për shkak se veriu ende është jashtë kontrollit, të paktën kontrollit politik dhe organizimit të një vendit. Këtu do të vërehet se sa do të tregohemi të zgjuar që edhe komunitetitn serb ta fusim në lojën politike, pra ta fusim në negociata me Qeverinë e Kosovës. Nëse qeveria dështon në këtë pikë atëhëre do të kemi probleme edhe në të ardhmën më këtë pjesë të vendit.
Asociacioni sipas versionit të Kurtit do të bëhet sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, këtu nuk ka ndonjë risi të madhe siç po mundohen ta paketojnë, do të jetë versioni të cilin e pranon Kushtetuta e Kosovës me kompenteca jo ekzekutive që nga viti 2013”, deklaron Arifi për Syri.net Kosova.
Dorëzohet Vuçiçi
Në anën tjetër, presidenti serb ka komentuar çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duke thënë se Serbia do të zbatojë gjithçka që është pajtuar.
Këto komente Vuçiq i bërë gjatë konferencës për media me presidenten e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou.
Vuçiq ka thënë se Serbia po përpiqet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, se do të vazhdojë reformat dhe do të punojë për përmirësimin e të drejtave të njeriut, si dhe se do të “zbatojë gjithçka që është rënë dakord”, shkruajnë mediat serbe.
“Shumë nga ajo që pritet nga Serbia ka të bëjë me dialogun me Prishtinën. Gjithashtu, ajo që ne gjithmonë e kemi pranuar me gëzim, më duket se janë reformat, ne jemi krenarë për reformën në drejtësi që po zbatojmë që nga janari i vitit të kaluar dhe shpresojmë që në maj Komisioni Evropian ta tregojë në raport. Kemi ende shumë për të bërë në zhvillimin e demokracisë, të drejtave dhe lirive të njeriut, por njoh disa vende të BE-së që nuk janë para nesh në këtë drejtim, përkundrazi”, ka thënë ai Vuçiq.
I pajtimit për respektimin e marrëveshjes është edhe Kryeministri kosovar Albin Kurti. Ai sot e ka rikonfirmuar se është i vendosur sa i përket mënyrës se si do të krijohet Asociacioni.
Kurti deklaroi sot për mediat në Shqipëri se në nenin 7 të propozimit evropian flitet për vetëmenaxhim të komunitetit serb për një nivel adekuat vetmenaxhimi.
Kreu i qeverisë tha se mes Kosovës dhe Serbisë ka vetëm njohje “de facto” e jo vetadministrin e as vetëqeverisje.
“Askund Nuk ka kurrfarë autonomie për serbët lokalë në Kosovë. Ata janë qytetarë të Republikës sonë dhe unë jam kryeministër edhe i atyre. Në nenin 7 flitet për vetmenaxhim të komunitetit serb për një nivel adekuat vetmenaxhimi. Kjo do të thotë që kemi referencë veçse te marrëveshja kornizë e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Nuk ka vetadministrim, nuk ka vetqeverisje, ka veçse njohje de facto ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Kryeministri Kurti.
Por, kryeministri i vendit gjithashtu u shpreh se në Kosovë nuk mund të ketë njerëz të privilegjuar në bazë të përkatësisë etnike, pasi siç theksoi ai ‘privilegji për dikë, mund të jetë diskriminim për dikë tjetër”.
“Unë nuk jam për t’i diskriminuar, shtypur, shfrytëzuar apo margjinalizuar serbët. Ne shqiptarët kemi qenë një shekull nën sundimin serb, nuk do të përsërisim asgjë të ngjashme dhe as nuk do të na shkoj mendja asnjëherë, mirëpo gjithashtu nuk mund të kemi super minoritet në Kosovë. Nuk mund të kemi njerëz të privilegjuar në bazë të përkatësisë etnike apo religjioze sepse privilegji për dikë, bëhet diskriminim për dikë tjetër. Andaj unë ju garantoj që nuk do të ketë kurrfarë solucionesh jo transparente e që e minojnë Kushtetutshmërinë tonë dhe rendin republikan e demokratik””, tha Kurti.
Kujtojmë se, në Kosovë dikur u protestua me të madhe për mosformimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive, ndërsa pas 18 marsit askush nuk bëri zë./syri/