Kosova bën 'hap historik' drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës
Kosova ndërmori një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës të hënën, mes kundërshtimeve të zjarrta nga Serbia. Sipas AFP, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës "transmetoi për opinion" kërkesën për anëtarësim të Kosovës në Asamblenë e saj Parlamentare, megjithëse nuk dihet se kur do të jepet ky vendim.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare e themeluar pas Luftës së Dytë Botërore për të mbrojtur të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.
Ai themeloi Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), e cila mbron të drejtat e çdo qytetari brenda 46 shteteve që nënshkruan.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schëarz ka përshëndetur vendimin duke thënë në Facebook se kandidatura e tyre është miratuar me shumicë prej dy të tretave.
"Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm shënon një hap historik, ndoshta më i rëndësishmi që nga pavarësia jonë", tha ajo, por paralajmëroi se procesi i anëtarësimit mbetet "i gjatë dhe i vështirë".
Kosova e fitoi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, megjithëse Beogradi ende kundërshton çdo njohje ndërkombëtare të ish-krahinës së saj.
101 vende e njohin zyrtarisht si të pavarir shtetin e vogël ballkanik, të populluar kryesisht nga shqiptarë etnikë, duke përfshirë Britaninë e Madhe, SHBA, Francën dhe Gjermaninë.
Në maj, Prishtina paraqiti një kërkesë për t'u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, menjëherë pasi Rusia u dëbua për pushtimin e Ukrainës.
Dalja e Moskës – një aleate prej kohësh e Serbisë – u konsiderua gjerësisht se po e bënte më të lehtë hyrjen e Prishtinës.
“Ne do të votojmë kundër të ashtuquajturës anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës”, u tha gazetarëve presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
“Kjo ditë do të mbetet si ditë turpi për Këshillin e Evropës”, shtoi ministri i Jashtëm i vendit, Ivica Daçiç.
Presidenti serb foli me gazetarët një ditë pas zgjedhjeve lokale në Kosovën veriore të dominuar nga serbët, të cilat u bojkotuan në masë dërrmuese nga partitë dhe votuesit serbë atje. Si rezultat, atje u zgjodhën shqiptarët etnikë./syri/