May 10, 2023 08:06 Europe/Tirane
  • Lumir Abdixhiku: 'Asosacioni' i paraqitur në Bruksel, shtet brenda shtetit!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, paraqitur në Bruksel.

"Shtet brenda shtetit" e ka cilësuar Abdixhiku në shënimin e tij në Fb ku thotë: "Dokumenti i draft-statutit, i përpiluar nga Ekipi Menaxhues, e i bërë publik në medie është më tepër se Asociacion dhe është më tepër se Autonomi - është shtet brenda shtetit; republikë brenda republikës.  Ky draft-statut, në të 67 nenet e në nëntë kapitujt e tij, projekton federalizimin e Kosovës si koncept të ri organizativ pas shpalljes së pavarësisë.

Një trupë që nxjerr ligje, menaxhon asete kombëtare, pasuri publike e burime natyrore, një trupë që organizon zgjedhje, mban referendume e merr kompetenca nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës - nuk ka vend në rregullimin tonë shtetëror e kushtetues!

Si i tillë, ai jo vetëm që duhet të refuzohet si bazë negociuese por dhe të refuzohet si ambicie politike.

Në Kosovë nuk do të ketë parti, nuk do të ketë qeveri e nuk do të ketë njeri që mund ta pranojë një organizim të tillë.

Qeveria e Kosovës ndërsa, duhet të marrë pronësinë në procesin vijues.

Asociacioni bëhet nga institucionet tona dhe atë vetëm brenda rendit tonë kushtetues. Çdo ikje nga përgjegjësia është dorëzim dhe çdo dorëzim sjellë dokumente e koncepte të tilla; siç ka ndodhur dhe me këtë tani," ka theksuar Lumir Abdixhiku./syri/