May 12, 2023 06:29 Europe/Tirane
  • FRONTEX do të sigurojë tërë kufirin e Malit të Zi me vendet fqinje

Ekipet për negocim të Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje, sipas së cilës i gjithë kufiri i Malit të Zi me fqinjët e tij do të sigurohet nga oficerët e Agjencisë së Bashkimit Evropian për ruajtjen e kufirit dhe bregdetit – FRONTEX , së bashku me policinë dhe ushtrinë malazeze.

“FRONTEX do të jetë në të gjithë kufijtë e Malit të Zi me shtetet fqinje dhe jo si më parë vetëm në kufirin me Kroacinë, e cila është shtet i Bashkimit Evropian”, tha ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Fillip Axhiq, në mbledhjen e qeverisë së këtij vendi, më 11 maj.

Që nga shkurti i këtij viti, kanë vazhduar negociatat që FRONTEX-i të zgjerojë juridiksionin e tij në kufijtë me Shqipërinë, Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Sipas marrëveshjes së mëparshme, të vitit 2020, FRONTEX ka ndihmuar Malin e Zi në kontrollin e kufijve që ka me anëtarët e Bashkimit Evropian, Kroacinë dhe Italinë, veçanërisht në situatat e rritjes së fluksit të emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe zonat e konflikteve.

Sipas ministrit Axhiq, ekipet e FRONTEX-it do të përfshijnë ekspertë të cilët janë të trajnuar për të zbuluar të gjitha veprimet e paligjshme të mundshme, në pikat kufitare.

“ Kjo do ta ngritë edhe policinë tonë kufitare në një nivel shumë më të lartë, sepse do të punojë me profesionistë nga ajo fushë”, tha ministri Axhiq./oranews/