May 12, 2023 06:30 Europe/Tirane
  • Moska paralajmëron forcimin e lidhjeve me Republikën Sërpska

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka paralajmëruar forcimin e lidhjeve ndërmjet Rusisë dhe Republikës Sërpska, ndërkaq presidenti i këtij entiteti të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, do të shkojë në Moskë, gjatë këtij muaji, për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin.

Dodik është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Në një intervistë për një stacionin televiziv të afërt me Dodikun, Peskov vëri në dukje pritjet e Moskës se Serbia dhe Republika Sërpska nuk do t’i “dorëzohen presionit perëndimor” për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.

Zëdhënësi i Putinit tha se Beogradi është aktualisht nën presion më të madh nga Perëndimi për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, sesa janë autoritetet e Republikës Sërpska, të cilat në Bosnjë e Hercegovinë po e bllokojnë vendosjen e sanksioneve.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Serbia nuk ka vendosur asnjë masë kufizuese ndaj Rusisë në përputhje me vendimet e Bashkimit Evropian (BE), gjë që pritet nga vendet kandidate. Brukseli e paralajmëroi Serbinë sërish, më 9 maj, se përparimi në negociatat për anëtarësim do të varet nga harmonizimi me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.

“Serbia është nën presion edhe më të madh se Republika Sërpska. Shpresojmë se do të kenë forcë të mjaftueshme për të mos hyjnë në radhën e kësaj rrjedhe kryesore të Perëndimit kolektiv”, tha Peskov në një intervistë për Televizionin Alternativ të Banja Llukës, i cili poashtu është nën sanksionet e SHBA-së.

Intervista u regjistrua në Moskë, ndërkaq prezantuesja e zhvilloi atë në gjuhën ruse.

Për lidhjet tradicionale të Rusisë me Serbinë, Peskov tha se Serbia është shtet sovran dhe se Rusia nuk ka asgjë kundër marrëdhënieve të saj me vendet perëndimore. Por, sipas tij, asnjë bashkëpunim me vendet perëndimore apo vendet e tjera nuk duhet të jetë pengesë për vazhdimin e zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Rusisë.

Peskov tha se, kur bëhet fjalë për Republikën Sërpska, Rusia “niset nga fakti marrëdhënie do të vazhdojnë të zhvillohen dhe se ato vetëm do të forcohen në të gjitha fushat”.

Ai tha se Moska e di se çfarë është “presioni i jashtëm brenda Bosnjë e Hercegovinës, çfarë është presioni i jashtëm në kudër të mekanizmave ndërkombëtarë, të cilët gjithashtu funksionojnë në përputhje me Marrëveshjen e paqes të Dejtonit”.

“Dhe, natyrisht, në përputhje me mundësitë tona, në radhë të parë ekonomike, ne jemi të gatshëm të mbështesim Republikën Sërpska, në mënyrë që ajo të ketë forcën për të ndjekur vazhdimisht drejtimin e saj, brenda të njëjtit shtet në të cilin ndodhet”, tha Peskov.

Duke folur për statusin e Republikës Sërpska brenda Bosnjë Hercegovinës, Peskov tha se ajo është një nga dy entitetet në atë vend dhe se sipas Marrëveshjes së Dejtonit ajo është krejtësisht e barabartë.

Në janar të vitit 2022, Departamenti amerikan i Thesarit e vendosi Millorad Dodikun në listën e sanksioneve për shkak të aktiviteteve të korrupsionit, përpjekjeve për të rrëzuar Marrëveshjen e Dejtonit dhe rrezikimit të stabilitetit të Bosnjë e Hercegovinës dhe të gjithë rajonit.

Siç u njoftua, sanksione u vendosën edhe ndaj Televizionit Alternativ nga Banja Lluka, për shkak të lidhjes së tij me Dodikun, lider i Partisë së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), e cila është parti udhëheqëse në Republikën Sërpska.

Në një intervistë tjetër të transmetuar në Radiotelevizionin e Republikës Sërpska, në të njëjtën ditë kur intervista me Peskovin u publikua në ATV, Milorad Dodik njoftoi se, më 23 maj, do të takohet në Moskë me Putinin, me të cilin ka biseduar edhe në shtator të vitit të kaluar.

Shefi i Përfaqësisë së Republikës Sërpska në Rusi, Dushko Peroviq, tha se Dodik do të diskutojë me Putinin për vazhdimin e bashkëpunimit për zhvillimin ekonomik, Marrëveshjen e Dejtonit dhe presionet ndaj Republikës Sërpska.

“Këto janë disa gjëra për të cilat Dodik, në një frymë miqësore, dëshiron të informojë Vladimir Putinin, duke qenë se ata kanë pasur komunikim të mirë për një kohë të gjatë”, tha Peroviq për agjencinë Srna.

Ai tha se Dodik, sipas protokollit të vizitës së tij në Rusi, duhet t’ia dorëzojë Putinit Urdhrin e Republikës Sërpska, që iu dha në fillim të këtij viti , në prag të festimit të Ditës së Republikës, më 9 janar.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Banja Llukë, Dodik vuri në dukje se Putin është meritor për zhvillimin dhe konsolidimin e bashkëpunimit, si dhe për marrëdhëniet politike dhe miqësore midis Republikës Sërpska dhe Rusisë.

Ditën kur u publikua intervista me Peskovin, përfaqësuesi i lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, paralajmëroi para Këshillit të Sigurimit të OKB-së se politika secesioniste në Republikën Sërpska është në rritje./oranews/