May 25, 2023 08:53 Europe/Tirane
  • Kosovë, betohen sot kryetarët e rinj të 3 komunave nën masa të forta sigurie

Sot do të betohen edhe tre kryetarë të zgjedhur së fundmi në veri të Kosovës. Dy kryetarët që vijnë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në Zveçan e Zubin Potok dhe Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, betimin do ta bëjnë në objekte publike për shkaqe sigurie.

Kryetarët e zgjedhur nga radhët e PDK-së dhe ai i Lëvizja Vetëvendosje, në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq do ta bëjnë betimin sot (më 25 maj), njofton RTK. Procedurën e betimit kryetari i Zveçanit dhe ai Zubin Potoku do ta bëjnë në objekte publike me fillim prej orës 10:00. Kurse kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, pritet të betohet si kryetar i komunës në fshatin Bistricë, tri orë më vonë,

Kryetari i ri i Zveçanit, Ilir Peci, ka deklaruar se seanca solemne për betimin e tij si kryetar do ta mbahet nesër në fshatin Boletin, në Kullën e heroit kombëtar Isa Beletini, kurse kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, pritet të betohet në fshatin Qabër të kësaj komune.

Lajmin për betimin e kryetarëve në tri komunat në veri e ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje, në mbledhjen e Qeverisë.

“Nesër në ndërtesat publike në këto komuna do të mbahen seancat konstituive dhe betimi i tre kryetarëve. Kanë kaluar mbi gjashtë muaj prej kur këto komuna mbeten pa kryetarë, pa kuvende, e banorët atje pa shërbime komunale, kjo nuk është normale”, ka deklaruar Kurti.

Nga katër kryetarët e zgjedhur më 23 prill, deri tash është betuar vetëm kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Tre kryetarët e tjerë të komunave veriore kanë kohë deri më 28 maj që ta japin betimin, në të kundërtën e humbasin mandatin.

Zgjedhjet në Veri u mbajtën më 23 prill, ndërsa rezultatet u certifikuan më 28 prill, teksa 28 maji u vendos si afati i fundit për ta dhënë betimin./syri/