May 26, 2023 09:06 Europe/Tirane
  • Osmani: Nëse presidenti do të ishte burrë, nuk do të kishte gjuhë të urrejtjes në internet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar se është privatësia ajo që i mungon nga jeta private, nga jeta para marrjes së postit të së parës së vendit. Ajo ka vlerësuar se disa nga temat për të dhe gjuha e urrejtjes në internet nuk do të ishin evidente, nëse presidenti do të ishte burrë.

E ftuar në “Radar”, Osmani ka treguar se do të dëshironte më shumë kohë me familjen e saj.

“Natyrisht, do të doja të kisha më shumë kohë me vajzat e mia. Ato po rriten, tashmë kanë nëntë vjet dhe janë në klasën e tretë. Ngarkesa e tyre në shkollë është shumë më e madhe, edhe pse çdo natë, së bashku me bashkëshortin punojmë me to. Kanë shumë detyra, tash kanë kohën e testeve…tentojmë me i mbështet dhe me i ndihmu, por kisha dasht të kisha akoma më shumë kohë me familjen. Mungon privatësia, thuajse asgjë më nuk është private. Edhe kjo pastaj të mungon për shumë gjëra që ndoshta do t’i bëje me familje, ta zëmë prindërit e mi me motrat e vëllaun kanë qenë në Korçë për vitin e ri për dy-tre ditë, janë pastaj këto protokollet e sigurisë që nuk mundesh me shku..me kalu kohë kualitative me familje shënohen në tema, e lashë nuk shkova fare”, ka treguar ajo.

Osmani ka thënë se ajo e cila i pengon mbetet gjuha e urrejtjes e përdorur ndaj vajzave, duke i dekurajuar të njëjtat të merren me politikë.

“Ajo çka më pengon është që përmes gjuhës së urrejtjes në jetën online, pak a shumë dekurajohen vajzat e reja që të merren me politikë. Unë kam kaluar vështirësi shumë më të mëdha në jetën time publike dhe këto lehtë përbihen, sepse punët e shtetit janë më të mëdha, nëse ndalesh me to nuk do mund të përballesh me problemet e vërteta dhe t’i zgjedhësh ato”, ka deklaruar ajo. “Po të kishte qenë një burrë president, fare nuk do të ishin marrë me shumë prej këtyre temave”.

Osmani është presidentja e dytë grua e vendit./syri/