May 26, 2023 09:09 Europe/Tirane
  • Serbi i arrestuar për vrasje në Mal të Zi, fshihej me identitet të rremë në Kosovë

Shtetasi serb Srđan Jurisheviq, është arrestuar sot në Kosovë nën dyshimin se ishte pjesë e një grupi të organizuar kriminal në Mal të Zi.

Sipas policisë, Jurisheviq fshihej me identitet të rremë në territorin e Kosovës dhe në të dhënat operative të Drejtorisë së Policisë, konsiderohet si pjesëtar i grupit të organizuar kriminal, raportojnë mediat malazeze. Jurisheviq dyshohet se në vitin 2020, së bashku me persona të tjerë, është bërë anëtar i një organizate kriminale, e cila kishte planifikuar vrasjen e Nikolla Stanishiqit.

Ai dyshohet se mori pjesë në organizimin e vrasjes, si dhe eliminimin e gjurmëve të kësaj vepre penale.

“I njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor Gjilan. Të gjitha veprimet dhe procedurat e mëtejme, do të ndërmerren në koordinim me njësitin për bashkëpunim ndërkombëtar Fast Kosova nga Policia e Kosovës dhe institucionet përkatëse”, njoftoi sot policia./syri/