Situata në veri, gazetarët e policët sulmohen me gurë nga serbët
Të premten grupe qytetarësh serbe u përplasën me Policinë e Kosovës, e cila po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre.
Serbët sulmuan me gurë policët dhe gazetarët, me ç’rast u lënduan pesë policë, të cilët kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor, ata po ashtu kanë sulmuar edhe ekipet e gazetarëve, duke ua dëmtuar veturat e tyre. Në mesin e dëmeve që shkaktuan serbët ishin edhe 4 vetura zyrtare.
Policia në reagimin e saj bëri të ditur se kërkesat e tyre nuk ishin përfillur nga serbët, ku edhe kishin vazhduar me sulme.
“Kërkesat e ligjshme të zyrtarëve policorë nuk janë përfillur, persona të caktuar brenda turmës në Zveqan kanë shfaqur dhunë, kanë hedhur mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare. Me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë gazin lotsjellës për shpërndarje të turmës, dhe për t’ua mundësuar hyrjen kryetarëve në objekte komunale”, kishte njoftuar Policia./syri/