Dënim i rëndë për Jovica Stanishiç, ish-shefin e shërbimit sekret të Millosheviçit
Ish-kryespiuni serb, Jovica Stanishiç, i cili ka bashkëpunuar ngushtë me Sllobodan Millosheviçin gjatë regjimit të tij në ish-Jugosllavi, u dënua me 15 vite burg, në atë që konsiderohet çështja e fundit gjyqësore në Hagë për luftrat ballkanike të viteve 1990. Bashkë me të u dënua po me 15 vite edhe vartësi i tij, Franko Simatoviç.
Dhomat e Apelit në Hagë hodhën poshtë vendimin e Shkallës së Parë për të shpallur të pafajshëm dy bashkëpunëtorët e ngushtë të Millosheviçit dhe shtuan dënimin nga 12 në 15 vite burg. Sipas gjykatëses Graciela Gatti Santana, të dy të dënuarit, që sot janë në të 70-tat, kanë pasur qëllimin kriminal për të larguar përgjithmonë popullësinë kroate dhe boshnjake përmes krimeve.
Për rolin e tij në konfliktin e përgjakshëm, vetë Millosheviç doli para gjykatës, por vdiq në burg në vitin 2006 para se të merrej vendimi. Kryeprokurori i Hagës, Serge Brammertz, tha se ky ishte rasti i parë që zyrtarë nga Beogradi dënoheshin si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Stanishiç ishte i pranishëm në sallë, ndërsa Simatoviç e ndoqi vendimin nga qelia. Ata u dënuan fillimisht dy vite më parë për vrasjet e kryera nga paraushtarakët serbë në vitin 1992 në qytetin Bosanski Samac, por u quajtën jo përgjegjës për atë që ndodhi. Por Apeli hodhi poshtë këtë vendim dhe rriti vitet e dënimit për të dy./syri/