Qershor 02, 2023 09:41 Europe/Tirane
  • Osmani zbulon se është takuar për pak minuta me Vuçiçin: Nuk do paqe, si zakonisht ankohet e bërtet!

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se sot është zhvilluar një takim i shkurtër i përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Moldavi, ku ishin të pranishëm edhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Paraprakisht Osmani dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime ndarazi me Macron, Scholz dhe Borrell, njofton RTK. “Në fund të takimit me Macron dhe Scholz ata propozuan që të kishte edhe një diskutim joformal me presidentin e Serbisë, natyrisht në takim ishte edhe përfaqësuesit i Lartë i BE-së, Josep Borrell.

E kishim një takim të përbashkët diku 10 minuta, ku edhe  njëherë u dëshmua se Vuçiq nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe, por në fakt është burimi kryesor i jostabilitetit në gjithë rajonin tonë.

Por, unë do të vazhdojë të punoj me partnerët tanë, me Gjermaninë, me Francën, me SHBA-në si aleat yni kyç, por edhe me shtetet e tjera prej disa prej çështjeve që i propozuan edhe presidenti Macron, edhe kancelari Scholz, e që i ka propozuar edhe sekretari i shtetit amerikan, Blinken. Ka mundësi që të gjinden zgjedhje përpara.

Vullnetin e kemi të përbashkët dhe ai është Kosova sovrane dhe e pavarur të jetë e suksesshme në gjithë territorin e saj. Natyrisht asnjëherë duke mos i ikur obligimeve që t’i mbrojmë të gjithë qytetarët, përfshirë edhe pakicën serbe”, ka theksuar Osmani në një intervistë ekskluzive për RTK-në nga Moldavia, ku ka marrë pjesë në Samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kishinau të Moldavisë.  

Ajo ka thënë se zgjidhjet për shtensionim të situatës ekzistojnë por ato duhet të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, derisa ka thënë se takimi trelateral ka qenë propozim i përbashkët i Macronit dhe Scholzit.

Ajo ka thënë se fillimisht takimi trelateral Macron-Scholz-Osmani ka qenë propozim i palës franko-gjermane, derisa në fund të këtij takimi ka qenë një insistim i tyre që të ketë edhe një diskutim formal me presidentin e Serbisë.

“...e kam bërë të qartë se unë nuk negocioj sepse negociatat bëhen në Bruksel dhe Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar qartë se kush i zhvillon ato negociata. Megjithatë si presidente e vendit natyrisht i respektoj propozimet e aleatëve tanë, të cilët kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin shumë për stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

Jemi ulur kemi diskutuar. Unë para tyre kam kërkuar nga Vuçiqi që të largojë ushtrinë nga kufiri, që t’i largojë bandat kriminale nga Kosova. Që të zbatojë listën e gjatë të marrëveshjeve të cilat nuk i ka zbatuar./syri/